Zhgënjim i madh i Luis Enrique – Shqip

by admin

Trajneri spanjoll është zhgënjyer me kaosin te parisienët, mendon largimin pas vetëm një muaji

Kaosi te PSG-ja ka ndikuar se tepërmi te trajneri Luis Enrique, i cili mund të largohet nga skuadra pas vetëm një muaji.

Ajo që e ka mërzitur teknikun spanjoll është përlasja e klubit me yllin francez Kylian Mbappe.

Luis Enrique e nisi detyrën më 5 Korrik, por sipas gazetës sportive spanjolle “Marca”, entuziazmi është zëvendësuar nga zhgënjimi. 53-vjeçari zëvendësoi Christophe Galtier.

Tekniku e konsideron mjaft toksike situatën te parisienët me Mbappe që këmbëngul që të largohet, ndërsa synimi është të bëhet pjesë e Real Madrid.

PSG nuk përfshiu Mbappe nga turneu parasezonal në Japoni dhe e dërgoi që të stërvitet me rezervat.

Kontrata sulmuesit i përfundon në verën e ardhshme dhe parisienët duan që ta shesin atë këtë merkato vere që të përfitojnë financarisht.

Luis Enrique është mërzitur edhe nga fakti se drejtori sportiv Luis Campos, i cili luajti një rol parësor në emërimin e Enrique, është drejt largimit.

Edhe ndihmësi i spanjollit, Rafel Pol po mendon që të largohet nga PSG-ja, ndërsa ka marrë një tjetër ofertë.

Kështu kampionët francez rrezikojnë që ta nisin sezonin e ri në një situatë shumë të vështirë.

Por drejtuesit parisienë i kanë hedhur poshtë të tilla lajme duke i quajtur të pakuptimtë.

Klan News

You may also like