Përfaqësuesja e UNICEF-it Patricia DiGjovanni bëri thirrje për më shumë veprime për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve të mitur në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi se në kohën që ngremë zërin për barazi gjinore dhe mirëqenien e grave, nuk mund të harrojmë një pasojë të rëndë të pabarazisë gjinore të rrënjosur, martesën e vajzave të mitura.
PATRICIA DIGJOVANNI, PËRFAQËSUESE E UNICEFIT
“Martesa e fëmijëve vazhdon të jetë problem për vajzat në Maqedoninë e Veriut. 8% e të gjitha grave të moshës 20 deri në 24 vjeç në vend janë martuar ose kanë bashkëjetuar para moshës 18 vjeçare. Akoma më shqetësuese është se 45 % e grave rome të moshës 20 deri në 24 vjeç në vend kanë qenë të martuara ose në një lidhje para moshës 18 vjeçare dhe 15 % e grave të të njejtit grup ishin të martuara ose në një lidhje para moshës 15 vjeçare”.
DiGjovani theksoi se martesat e fëmijëve i privojnë vajzat nga fëmijëria dhe kanë pasoja të dëmshme për shëndetin dhe perspektivën e tyre ekonomike. Ajo thotë se martesat ndikojnë negativisht në zhvillimin, qasjen në shkollë dhe cilësinë e përgjithshme të jetës së tyre duke potencuar se vajzat që martohen para moshës 18 vjeç, probabiliteti për t’u bërë viktima të dhunës në familje është më i lartë dhe probabiliteti për të qëndruar në shkollë është më i ulët.
PATRICIA DIGJOVANNI, PËRFAQËSUESE E UNICEFIT
“Maqedonia e Veriut miratoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, si dhe dy protokollet fakultative dhe Konventën për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave, ku martesa e fëmijëve është e ndaluar në mënyrë eksplicite. Gjithashtu, Konventa e Stambollit për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje kërkon që shtetet të kriminalizojnë martesën e detyruar dhe atë të fëmijëve”.
Edhe pse kufiri ligjor për martesë në Maqedoninë e Veriut është 18 vjeç, shtoi ajo, ka përjashtime që fëmijët të martohen në moshën 16 vjeçare, por me miratimin e gjykatës. DiGjovani thotë se ka boshllëqe ligjore lidhur me martesat e fëmijëve sepse e drejta e pëlqimit “të lirë dhe të plotë” për martesën njihet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, por pranohet se një pëlqim i tillë nuk mund të jetë “i lirë dhe i plotë” kur palët nuk janë mjaftueshëm të pjekura për të marrë një vendim të informuar për jetën e tyre.
Medina Ajeti /SHENJA/