(VIDEO) Taravari: Do të hetohet nëse ka qenë i qëllimshëm kthimi në shtëpi i foshnjës 14 muajshe

by admin
Spread the love

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari konfirmoi se foshnja e ndjerë e cila ndërroi jetë mëngjesin e të shtunës në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, është kthyer nga mjekët në shtëpi por theksoi se do të hetohet se a është bërë kjo nga mosdija apo qëllime të tjera të mjekëve. Ai tha se bashkë me organet kompetente janë duke e hetuar rastin dhe se do të ketë përgjegjësi.

 ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

 “Fatkeqsisht pardje ka pasur një rast tragjik, kjo mund të pritet prej një sistemi shëndetësor që është i degjeneruar. Edhe ditën e djeshme edhe sot në detaje jam i informuar  rreth gjithë asaj se çfarë ka ndodhur dhe patjetër të ketë përgjegjësi. Por mos pritni prej meje sot të sillem si gjykatës dhe të sjell një vendim, sepse më duhen detaje, më duhen organet kompetente të konstatojnë nëse ka patur gabim mjekësor dhe pas asaj lënda të lëshohet në gjykatë dhe atje të sillet vendimi defenitiv për mëtutje”.

Foshnja 14 muajshe ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Prindërit e foshnjës thanë se foshnjës së ndjerë disa herë i është refuzuar shtrimi në spital, edhe pse prindërit e kishin dërguar  vazhdimisht. Sipas tyre foshnja çdoherë është lëshuar në shtëpi, pa u shtruar në spital. Duke e parë se iu refuzua trajtimi spitalor, ata thanë se e dërguan në Klinikën e Kozles, nga ku gjendja e foshnjës u përkeqësua dhe vetëm më pas u shtrua në reanimacionin e Klinikës së Fëmijëve.

Drejtori i klinikës së fëmijëve “Nënë Tereza” Rexhep Memedi ditën e djeshme tha se  foshnja është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore në klinikë dhe me saturacion shumë të ulët të oksigjenit. “Pas intervenimeve të mjekëve, foshnja në orët e hershme të mëngjesit kishte ndëruar jetë”, theksoi ai.

Nga inspektorati shtetëror, sanitar, shëndetësor dje njoftuan se do të kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet shëndetësore ku është trajtuar foshnja e ndjerë, për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

MARKETING



You may also like