Opozita shqiptare, përkatësisht Bashkimi Demokratik për Integrim, ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm 4 muaj pas formimit të Qeverisë së re. Deputeti i kësaj partie, Blerim Bexheti tha se, zgjedhje të parakoshme parlamentare mund të mbaheshin bashkë me ato lokale. Partia e mbështet kërkesën e tyre në pretendimin se qeveria aktuale, përkatësisht koalicioni shqiptar në pushtet, nuk ka legjitimet për të përfaqësues shqiptarët në Qeveri.
BLERIM BEXHETI, DEPUTET I BDI-SË
“Duke pasur parasysh qeverinë pa legjitimitet etnik, duke pasur parasysh situatën me integrimet e vendit, situatën e marrëdhënieve etnike, janë të pashmangshme dhe të nevojshme për perspektivën e shtetit dhe në atë dorëz të hedhur të zotërit Mickoski ne jemi për zgjedhje të parakohshme, ashtu siç kemi qenë gjithmonë të gatshëm që të dalim në fushatë”
Edhe lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe është shprehur se partia e tij është e gatshme për zgjedhje. Megjithatë, kërkesën për zgjedhje që erdhi fillimisht nga VMRO-ja dhe BDI-ja, e sheh si mesazh për VLEN-in dhe ZNAM-in.
VENKO FILIPÇE, LIDER I LSDM-SË
“Ky, në një mënyrë flirtim me BDI-në, do të thosha se para se gjithash është mesazh për VLEN-in dhe për ZNAM-in, që shihet se kanë rol margjinalizues dhe mbështetje të përgjysmuar. Sa i përket LSDM-së, ne jemi të gatshëm për çfarëdo zgjedhje nga sot e tutje, dhe në çdo cikël të zgjedhjeve, do të marrim pjesë shumë më të organizuar dhe me më shumë sukses”.
Megjithatë, Bojan Stojanovski nga VMRO – DPMNE përgënjeshtroi pretendimet e Filipçes, duke thënë se koalicioni është stabil dhe ka raporte të mira mes vete.
BOJAN STOJANOVSKI, VMRO – DPMNE
“Raportet në koalicionin qeveritar janë shumë cilësore dhe kjo mund të shihet edhe në bazë të politikave që prodhohen në realitet ndërsa nëse Filipçë është aq i sigurt në atë që e flet, ka grup deputetësh, 18 deputetë, le të dorëzojnë kërkesë për shpërbërje dhe këtë që e pohon ta shohim në zgjedhje”.
Nga ana tjetë, Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN nuk sheh asnjë arsye që të ketë zgjedhje parlamentare së bashku me ato lokale, pasi thotë se qeveria ka mbështetje më shumë se çdo qeveri tjetër.
IZET MEXHITI, KOALICIONI VLEN
“Prej viteve 90-ta, nuk ka shënuar asnjë qeveri përkrahje më të madhe në parlamentin republikan. Pra, për momentin ka 78 deputetë që përkrahin këtë qeveri, numri po rritet, pritet që të tejkalojë shifrën 80. Kjo është dy e treta e Kuvendit dhe çdo gjë më shumë se kjo, nuk ka rrezon për të hyrë në kalkulime duke pasur një shumicë të tillë”.
Kujtojmë se, kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë seancës për pyetje deputetësh, porositi opozitën se, nëse duan që të shkojnë në zgjedhje , vendi mund të shkojë në zgjedhje së bashku me zgjedhjet lokale. Teuta Buçi /SHENJA/