Vetëm përmes kontratave kolektive komunat kanë humbur rreth 115 milionë euro – Shqip

by admin
Spread the love

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se vetëm përmes kontratave kolektive, humbjet e komunave llogariten të jenë rreth 115 milionë euro, raporton Shqip.

Kryetari i Ferizajt këto ankesa i bëri në takimin me kryeministrin Albin Kurti, dhe ministrat Elbert Krasniqi dhe Hekuran Muratin për koordinim ndërinstitucional për Strategjinë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve; ndërlidhjen e qytetarëve me adresë zyrtare; Kontratën Kolektive etj.

“Komunave të Kosovës u janë marrë mbi 115 milionë euro, si pasojë e këtyre obligimeve të dala nga kontrata kolektive gjersa vetëm dy vitet e fundit, rreth 80 milionë shuma e paguar nga komunat për obligimet e dala nga kontratat kolektive”.

“Miliona euro humbje nga arkat e komunës, qindra projekte të parealizuara nga komunat ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore”, tha Aliu.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se enigmë mbetet mosndëshkimi i personave përgjegjës për siç tha, shkaktimin e dëmit qindra milionësh për komunat në vend.

“Është problem shumë i madh kontrata kolektive, ka pas propozime, megjithatë çka mbetet enigmë se askush nuk është përgjegjës që ka shkaktuar dëmin 115 milionë, gjë që ko firmohet edhe nga vetë Asociacioni i Komunave. Çka ne mund të bëjmë si qeveri, është që mund t’u garantojmë që nuk do të krtë nënshkrime të kontratave që i implikojnë palët e treta që janë pa mbulesë. Çdo veprim që e marrim, të sigurohemi që ta ketë buxhetin e nevojshëm”, u shpreh Murati.

Fjalimi i Aliut:

I nderuar Kryeministër e Ministra!

Të nderuar Kryetarë e përfaqësues të Komunave!

– Qeveria e Republikës së Kosovës – duhet në mënyrë të menjehershme të ndaj buxhet shtesë për komunat, në proporcion me shpenzimet e kontratave kolektive si dhe

– Të nisin procedurat ligjore e buxhetore, për rimbursimin e obligimeve të paguara deri më tani nga komunat, që për buxhetet komunale paraqesin shifra shumë milionëshe.

Komunat ndër vite, kanë miliona euro më pak, për t’i investuar në projekte e nisma me dobi për qytetarët. Komunat ndër vite, kanë shtrëngesa financiare, pasiguri për të nisur e zhvilluar projekte nga bllokada e pakapërcyeshme e obligimeve të Kontratës Kolektive.

Kjo gjë, duhet të marr fund z. Kryeministër! Qytetarët, presin që kontributi i tyre, të kthehet në investim me dobi publike e jo në pasiguri të qeverisjes.

Për t’i shërbyer qëllimit për informimin tuaj të drejtë, më lejoni të ndaj para jush njoftimin se deri më tani, Komunave të Kosovës, nga arka e buxhetit komunal iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive, gjersa vetëm në dy vitet e fundit, mbi 80 milionë euro është shuma financiare e paguar nga komunat për obligimet e kontratave kolektive.

Miliona euro mungesë në arkat e komunave. Qindra projekte të parealizuara anembanë Kosovës ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara cilësisht si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore. Është kjo pasqyra financiare sot e Komunave të Kosovës. Është ky jostabiliteti buxhetor, që zvetënon autorizimet e autoritetin e institucioneve lokale.

Andaj, sa më sipër, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi që është nënshkruese e kontratave kolektive përmes ministrive me sindikatat përkatëse, të parasheh mbulimin e plotë buxhetor të shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe për vitet vijuese përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës, të rimbursoj mjetet e shpenzuara deri më tani nga komunat për obligimet financare që rrjedhin nga kontratat kolektive;

3. Të mos lejohet bllokimi i xhirollogarive të komunave për arsye të përmbarimeve si rrjedhojë e obligimeve të kontratave kolektive.

Duke qenë në lartësinë e përfaqësimit të interesit të qytetarëve, ne të zgjedhurit e tyre, kemi detyrimin që të synojmë përparimin për mirëqenien e qytetarëve, mos t’ia mohojmë investimet në dobi të tyre, të garantojmë stabilitetin financiar të komunave, të synojmë projekte që i japin dimesione të reja zhvillimi komunave tona, andaj presim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga ju z. Kryeministër, të mirëkuptoni kërkesat tona, shqetësimet e brengat tona të sinqerta, duke vënë në tryezën tuaj të punës, këto shqetësime, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare – sfidave financiare të Komunave të Kosovës” – tha ndër të tjera Kryetari Aliu para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

LEXONI EDHE:

You may also like