Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar familjen e Rexhep Selimit, në 4-vjetorin e arrestimit të tij.
Përmes një postimi nga Vetëvendosje, thuhet se Selimi tash e katër vite është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës, derisa e kanë cilësuar si figurë të cmuar që i ka shërbyer Kosovës.
“Sot, vizita e Kryeministrit Kurti dhe krerëve të tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, thuhet në postimin e VV-së.
Më tej, në reagim VV-ja tha se si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë janë të patundur në mbështetjen për Selimin.
“Si Lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë”, thuhet në reagim.