Universiteti Yale ofron kurs për studimin e evoluimit të Beyonce

by admin
Spread the love

Beyhive, grupi i pasionuar i fansave të Beyonce, mund t’u duhet të hapin librat për të marrë pjesë në një kurs të ri ekskluziv në Universitetin Yale.

Ky kurs, i titulluar “Beyonce Makes History: Black Radical Tradition History, Culture, Theory & Politics through Music”, do të ofrohet për studentët e Yale këtë pranverë dhe është krijuar për të analizuar ndikimin e thellë të këngëtares në muzikë, kulturë dhe politikë.

Kursi është udhëhequr nga profesoresha Daphne Brooks, një ekspert në studimet kulturore të zezakëve dhe studime afrikano-amerikane, shkruan DailyMail.

Brooks, e cila ka një karrierë të shquar në studimin e kulturës dhe muzikës së zezë, shprehet se ky është momenti ideal për të shqyrtuar kontributet e jashtëzakonshme të Beyonce në shoqërinë amerikane dhe globale.

Ajo e përshkruan Beyonce si një figurë të pjekur dhe inovative, që ka ndërthurur historinë dhe politikën në mënyra të papara, duke bërë që çdo punë e saj të ketë një ndikim të thellë.
Kursi fokusohet në evolucionin artistik të Beyonce, duke filluar me albumin e saj të vitit 2013 dhe duke vazhduar me projektet më të fundit, përfshirë albumin “Cowboy Carter” të vitit 2024.

Gjithashtu, ai eksploron përfaqësimin e grave të zeza në media dhe politikë, si dhe mënyrën se si Beyonce ka përdorur artin e saj për të pasqyruar luftën për liri dhe barazi.

>

Përveç që është një ikonë muzikore, Beyonce ka pasur një ndikim të fuqishëm në politikë, duke mbështetur kandidatë dhe duke përdorur muzikën e saj për të promovuar mesazhe sociale.

Ajo ka performuar gjatë dy inaugurimeve të Barack Obamas, ka mbështetur Hillary Clintonin në 2016, dhe më së fundi, ka ofruar këngën “Freedom” për fushatën e Kamala Harris për presidencë në 2024.

Për Brooks, ky kurs është një mundësi e artë për studentët që të kuptojnë si arti mund të shërbejë si mjet për të reflektuar mbi shoqërinë dhe për të krijuar hapësirë për një të ardhme më të drejtë dhe të lirë.

Ajo shpreson që ky kurs të nxisë studentët të mendojnë për mënyrat se si kultura dhe arti mund të kontribuojnë në transformimin e botës, duke shkuar përtej argëtimit për të stimuluar refleksion dhe angazhim shoqëror.

You may also like