UKRAINË – Zelensky: Gati për një qasje më fleksibël për t’i dhënë fund luftës

by admin
Spread the love

KIEV, 9 tetor /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të jetë gati për një qasje më fleksibël në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës, sipas “Bloomberg”.

“Për shkak të afrimit të dimrit të tretë ushtarak për Ukrainën dhe dobësimit të mbështetjes nga Perëndimi, zyrtarët ukrainas e bëjnë të qartë se janë gati për “fazën përfundimtare” të konfliktit”, thanë zyrtarë të NATO-s, duke kërkuar të mos u përmendet emri.

Ndryshimet e papritura në Kiev ishin planifikuar te diskutoheshin në takimin e presidentit amerikan Joe Biden me Zelensky dhe aleatët e tjerë perëndimorë në Gjermani të shtunën.

Megjithatë, për shkak të uraganit, Biden e shtyu udhëtimin.

“Plani i fitores” i Zelensky, i cili gjithashtu do të diskutohej në këtë takim, u pranua “ftohtë” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Kievit të përgatisë një udhërrëfyes me një plan veprimi për vitin e ardhshëm, duke përfshirë nevojën për pajisje ushtarake, ndihmën për zhvillim industrial dhe mbështetjen financiare.

Zelensky tha se do të njoftonte të gjitha detajet e planit pasi të përfundonin konsultimet me aleatët.

Presidenti ukrainas ka refuzuar vazhdimisht çdo bisedë për heqjen e territoreve.

Javën e kaluar, qeveria ukrainase hodhi poshtë informacionin se ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha‎ kishte diskutuar “kompromiset territoriale” në takimet në Kombet e Bashkuara muajin e kaluar.

Konfrontimi në front, buxhetet e tendosura në Perëndim dhe, mbi të gjitha, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor bashkuan forcat për të nxitur aleatët të shqyrtonin më nga afër mundësinë e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit.

Në të njëjtën kohë, një nga elementët qendrorë të negociatave të ardhshme – anëtarësimi i Ukrainës në NATO – ka krijuar një ndarje mes aleatëve të Ukrainës.

Ndërsa, Rusia e konsideron anëtarësimin e Ukrainës në NATO si një opsion të papranueshëm. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like