KIEV, 8 shkurt /ATSH-DPA/ – Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valerii Zaluzhnyi është liruar nga detyra e tij, njoftoi sot presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandanti aktual i forcave tokësore të Ukrainës, u emërua si pasardhës i tij.
Zelensky tha se ai ishte takuar më parë me oficerin e tij të lartë ushtarak.
“E falënderova për dy vitet e mbrojtjes”, shkroi Zelensky në media sociale.
“Ne biseduam për nevojat e forcave të armatosura të Ukrainës, dhe se si mund të modernizohet udhëheqja e ushtrisë”, tha ai.
Zelensky tha se ai i kishte ofruar Zaluzhnyi të vazhdonte të ishte pjesë e ekipit.
Që nga fundi i vitit të kaluar, ka pasur raporte në rritje për një luftë për pushtet midis Zaluzhnyi dhe Zelensky.
Sipas medieve të ndryshme, kreu i shtetit ukrainas kishte planifikuar të zëvendësonte gjeneralin javën e kaluar, por fillimisht nuk ishte në gjendje ta shtynte këtë.
50-vjeçari Zaluzhnyi u bë komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase disa muaj para pushtimit rus në shkurt 2022.
Nën komandën e tij, trupat ukrainase parandaluan një pushtim të plotë dhe më vonë rimorën disa territore të pushtuara.//a.i/