KIEV, 24 janar /ATSH-DPA/- Udhëheqja ukrainase kritikoi sot kërkesën e presidentit rus Vladimir Putin për t’u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke paralajmëruar se Evropa rrezikon të lihet mënjanë.
Andriy Yermak, kreu i Zyrës Presidenciale në Kiev, tha se Putini po përpiqet të promovojë idenë e negociatave dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi luftën që filloi Rusia.
“Putini do të vendosë për fatin e Evropës – pa Evropën”, shkroi Yermak në X.
“Dhe ai kërkon të flasë për Ukrainën – pa Ukrainën”, shtoi ai.
Putini e bëri të qartë sot se ishte i interesuar për negociatat me Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ndoshta është më mirë për ne që të takohemi dhe, bazuar në realitetet e sotme, të flasim me qetësi për të gjitha fushat që janë me interes si për SHBA-në ashtu edhe për Rusinë”, tha Putini për televizionin shtetëror rus.
“Ne jemi gati për këtë”, tha ai.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi se mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të tij të mira me Putinin.
Duke folur me gazetarët vetëm pak orë pas inaugurimit të tij të hënën, Trump tha se ishte gati të fliste me Putinin. Të mërkurën, ai paralajmëroi Rusinë se do të vendoste taksa, tarifa dhe sanksione nëse lufta nuk përfundon së shpejti. //a.i/