Është nata më e gjatë në historinë politike amerikane, me Gardën Kombëtare nën armë në rrugë në Oregon, shtetin e Uashingtonit dhe Nevada, vullnetarët që punojnë si milingona dhe shumë njerëz, ndoshta i gjithë vendi, në prag të një krize nervore.
Në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, ora 02:00 në Shqipëri, qendrat e votimit do të mbyllen përfundimisht në 17 nga 50 shtete, por vetëm në mesnatë, në orën 06:00 në Shqipëri – pas shumë birrave, pilulave Prozac kundër ankthit, debateve shtëpiake dhe online, lutjeve drejt qiellit, sharjeve në bare, të ndërthurura përmes Instagramit dhe TikTokut, protestave ndaj kontrollorëve ose, në rastin e grupeve ekstremiste të krahut të djathtë, Proud Boys dhe AP3, rillogaritjes së municioneve në garazh – votimi do të mbyllet në Hawaii, një orë më vonë në Alaskë. Pastaj numëratori i spin doktorëve mund të mbledhë 226 pikë të Kolegjit Elektoral për Kamala Harriins, 219 për Donald Trumpin, 93 të pavendosura nga 270 që nevojiten për Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 2020 pjesëmarrja ishte 66%, një rekord që nga viti 1900. Fondamentalistët Trumpianë e rrumbullakosën shifrën në 66.6, numri i Bishës së Antikrishtit në Apokalipsin e Shën Gjonit, i cili për ta ishte udhëheqësi i keq i demokratëve.
Atëherë votuan 158.429.631 qytetarë nga 252.274.000 votues me të drejtë vote, sonte mund të tejkalohet kjo shifër.
Në Amerikën narcisiste, të zemëruar, sociale, të ndarë midis qytetit dhe fshatit, grave dhe burrave, të bardhëve dhe pakicave, të diplomuarve dhe jo, orët e errësirës dhe dritës të mërkurën, nga ora e Nju Jorkut deri në orën e Honolulusë, do të shënohen nguliten përgjithmon në kujtesë.
Psikiatrja Laura Erickson-Schroth, e Jed Foundation, paralajmëron pacientët se mediat sociale përkeqësojnë tensionin dhe çojnë në shqetësime mendore, është më mirë të shkëputen prej tyre. Ide e shkëlqyer, por çfarë t’u thuash miqve dhe të afërmve që u bëjnë jehonë tam-tameve të algoritmeve?
Revista e përjavshme “Time” sugjeron largimin, ashtu si shkrimtarja feministe Jennifer Brody, e cila e nervozuar nga beteja Harris kundër Trump, ka fluturuar nga Kalifornia në Roscommon të Irlandës, për t’u fokusuar në romanin e saj “Namaste & Slay”, protagonistja e të cilit është një grua vetmitare.
Eshtë një luks ky për disa, dhe në fakt Shoqata Amerikane e Psikologjisë konfirmon se “69% e votuesve ndjehen të stresuar nga verdikti i ardhshëm”, ndërsa 74%, sipas një sondazhi të Reuters, “i tremben trazirave dhe dhunës pas votimit”.
Cassidy Du Hon, fotografe, rrëfen: “Unë i mbyll rrjetet sociale deri natën”.
Martha V.D, doktoreshë, premton: “Do të flas në telefon, do të bëj fushatë për Kamala derisa të shembem përdhe”.
George L. shkon në Florida: “Të paktën republikanët triumfojnë atje”.
Sal G. dhe Patty F., tridhjetë vjeçare nga Long Island: “Ne blejmë kanabis dhe kërpudha dhe shpresojmë për më të mirën.”
Ndërsa Cookies, një kompani legale bari, konfirmon në internet: «Biznesi më i mirë, shitje rekord për votuesit që kërkojnë relaksim».
Washington Post, për humor citon Hannah Cravotta-Crouch e cila zgjodhi datën 5 nëntor për të kryer kolonoskopinë, “test muti, ankth muti, kështu që nuk mendoj për votën”.
Lutje pa fund për Harrisin në Kishën e Tretë Baptiste në San Francisko, kundërlutje për Trumpin në Kishën Baptiste Prestonwood në Plano, Teksas. Ati i Përjetshëm po na shikon dhe Paul Ryder, udhëheqës i Kongregacionit të Praktikave të Shenjta u ofron besimtarëve “sakramentin e bimëve psikedelike për t’i përgatitur ata për votim”. Amen.
Ata që nuk do të marrin drogë, legale apo tjetërlloj, dhe nuk do të largohen, ndoshta vetëm duke u kapur pas shishes së uiskit me thekër ose pilulave të gjumit, janë burrat dhe gratë që mbrojnë paqen në kutinë e votimit. Në kontenë Maricopa, Arizona, punonjësit e votimit u trajnuan një nga një kundër trazirave të mundshme. Qendrat e votimit janë të mbrojtura nga dronët dhe gjuajtësit syçelët. Një gjeneral përgjegjës për rendin shpjegon për La Repubblica: “Në shtetet kyçe, Garda Kombëtare, ushtria dhe policia janë në gatishmëri prej javësh, nuk do të na zënë në befasi si në Capitol Hill në vitin 2021”. Garda Kombëtare është në gjendje gatishmërie në të paktën tre shtete, Uashington, Nevada dhe Oregon.
Në kryeqytet janë ngritur barriera mbrojtëse rreth Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.
Proud Boys, (Djemtë krenarë), një grup i armatosur pro Trump, janë shkatërruar, por udhëheqësi Enrique Tarrio, i dënuar me 22 vjet burg, po përgatit revoltën përmes Facebook dhe Telegram, nëse Trump humbet. Në Ohajo, Pensilvani, Arizona, Karolinën e Veriut urdhri është: “Luftë civile, vrisni votuesit e paligjshëm në emër të Trump dhe Perëndimit”.
Grupi i armatosur Ap3 shkruan në chat se “më 5 nëntor nuk do të vendoset me vota, por me plumba, shkoni me automatikë M16, me rroba kamuflazhi, për të patrulluar rrugëve. U ndalëm atëherë në Capitol Hill, por këtë herë jo!”
Kjo është Amerika e zemërimit, ankthit, nervave dhe shpresës.
Linda B., një profesoreshë universiteti, pranon e dorëzuar: «Do ta kaloj natën mes postimeve të TV dhe X, por data 28, Dita e Falenderimeve, kur familja ime mblidhet me gjelin në tavolinë është afër. Kushdo që të fitojë do ketë debate, dyer të përplasura. Kombi është thellësisht i ndarë”. / Shqip