STAMBOLL, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Partneri i qeverisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan propozoi sot një amendament kushtetues për t’i mundësuar presidentit të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Rizgjedhja e Erdoganit është zgjedhja e natyrshme dhe e duhur”, tha sot kreu i Partisë ultra-nacionaliste të Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, në parlament në Ankara.
“Partia e tij është e gatshme të mbështesë përpjekjet për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese”, tha Bahçeli.
Sipas kushtetutës turke, Erdogan nuk lejohet më të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për vitin 2028.
Megjithatë, ligji lejon një përjashtim dhe presidenti, në mandatin e tij të dytë, mund të kandidojë në rast se parlamenti shpall zgjedhje të parakohshme.
Koalicionit qeverisës të Erdoganit i mungon shumica e tre të pestave në parlament që nevojiten për zgjedhje të reja ose një amendament kushtetues.
Bahçeli, kohët e fundit bëri thirrje për një proces të mundshëm paqeje midis shtetit turk dhe Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Vëzhguesit e shohin këtë si një përpjekje për të bindur Partinë pro-kurde për Barazinë dhe Demokracinë e Popullit (DEM) që të ndihmojë në sigurimin e shumicës së nevojshme parlamentare dhe kështu të hapë rrugën për kandidaturën e Erdoganit.//a.i/