Visam Ben Jeder, një emër i cili ka bërë historinë në futbollin europian në vitet e fundit me skuadra si Monako dhe Sevilja, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit francez, është dënuar më burg nga nja gjykatë në Nisë, pasi është shpallur fajtor për tentativë përdhunimi në efektet e alkoolit.
Gjykata ka dënuar Ben Jeder me dy vite burg të pezulluar, detyrim paraqitje, t’i nënshtrohet trajtimit për varësitë, i ka pezulluar lejen e drejtimit për 6 muaj si dhe e ka detyruar t’i paguajë një viktime 6500 euro pasi e shpalli fajtor të tentativës për përdhunim. Ajo që është më e rënda, tani emri i tij do të shkruhet në regjistrin e personave me precedent për shkelje të natyrës seksuale.
Sulmuesi pranoi fajin para gjykatës për tentativën e përdhunimit të një 23-vjeçareje, por duke deklaruar se ishte i alkoolizuar.
“Kam qenë duke pirë dhe nuk mbaj mend çfarë ka ndodhur atë natë. Ka qenë një periudhë pak e vështirë, kisha probleme me menaxherët, me gruan… kam pirë për 3-4 ditë radhazi, kam pirë gjithnjë e më shumë, e shtova dozën dhe isha nën influencën e alkoolit. Duhet të kisha ndalur por nuk isha vetvetja. Alkooli më bëri të harroj, bëri që të ndal së menduari. E kuptoj që është gabimi më i keq i jetës time. Unë jam një person i vetmuar, e kam të vështirë t’u besoj njerëzve. Më kanë tradhtuar në shumë histori, E gjeta veten vetëm te alkooli”, tha sulmuesi para gjykatës duke pranuar fajin.
Viktima ndërkohë tregoi para gjykatës se kishte hipur në makinë e lojtarit e frikësuar dhe ai e kishte çuar në parkingun e banesës së tij. Aty ai kishte shtyrë sediljen e fëmijës që kishte në automjet dhe i kishte vënë duart në gjoks duke u masturbuar më pas, teksa tentonte ta puthte. Në atë moment, ajo ia kishte dalë të hapte derën e makinës dhe të arratisej.
Prokuroria në fakt kishte kërkuar që Ben Jeder të dënohej më një vit në burg pas hekurave, dhe një vit e gjysmë tjetër të pezulluar, pasi ishte përsëritës. Ai ka edhe një tjetër çështje përdhunimi të hapur dhe që po hetohet, pasi i ka paguar një dëmshpërblim prej 900 mijë eurosh një të reje tjetër e cila e ka akuzuar për përdhunim në verën e vitit 2023. Ndërkaq, ai akuzohet edhe për dhunë psikologjike nga gruaja e tij, si pjesë e procedurave të divorcit që ajo filloi në maj 2023. Lojtari është pa skuadër pasi Monako e la të lirë pasi u bënë publike skandalet e njëpasnjëshme.
PANORAMASPORT.AL