TENIS – Tërhiqet ylli Rafael Nadal

by admin
Spread the love

MADRID, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Ylli i tenisit botëror, Rafael Nadal ka njoftuar se do të tërhiqet nga tenisi profesionist pas Kupës Davis të muajit të ardhshëm.

Spanjolli 38-vjeçar, i cili fitoi 22 tituj Grand Slam, përfshirë 14 në French Open, e zbuloi lajmin në një video-mesazh të postuar në X.

Nadal, kampioni i Wimbledon në 2008 dhe 2010, ka luftuar me lëndime të ndryshme gjatë dy viteve të fundit.

“Realiteti është se kanë qenë vite të vështira, veçanërisht këto dy të fundit. Nuk mendoj se kam qenë në gjendje të luaj pa kufizime. Është padyshim një vendim i vështirë, që më ka marrë pak kohë për ta marrë. Por, në këtë jetë, çdo gjë ka një fillim dhe një fund”, shkruan Nadal në X.

Nadal njoftoi gjithashtu se ndeshja e tij e fundit do të jetë për Spanjën në finalet e Davis Cup në Malaga muajin e ardhshëm, në atë që do të jetë një fund i përshtatshëm dhe emocional i një karriere të shkëlqyer.

“Mendoj se është koha e duhur për t’i dhënë fund një karriere që ka qenë e gjatë dhe shumë më e suksesshme nga sa mund ta imagjinoja ndonjëherë”, tha ai.

“Mendoj se e kam bërë ciklin të plotë që kur një nga gëzimet e mia të para të mëdha si tenist profesionist ishte finalja e Kupës Davis në Sevilje në 2004”, thekson ai.

Sukseset e Nadalit erdhën gjatë një periudhe të jashtëzakonshme kur ai, Roger Federer, Novak Gjokoviç dhe, për pak kohë, britaniku Andy Murray, dominuan këtë sport aristokrat./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like