TEL AVIV – Izraeli zgjeron ofensivën në Liban ndërsa Hezbollahu përgjigjet një breshëri raketash

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 9 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite raportoi dje në mbrëmje se ka intensifikuar ofensivën e saj tokësore në Libanin jugor – ndërsa Hezbollahu është përgjigjur me një breshëri raketash që shënjestronin Izraelin verior.

“Sulmi shënjestroi objektiva të ndryshëm në Izraelin verior”, tha milicia e mbështetur nga Irani në një deklaratë.

Ushtria izraelite tha se alarmet për sulm ajror ishin lëshuar në disa lokacione pranë kufirit me Libanin.

“Rreth 180 raketa shënjestruan rajonin e Galilesë të Izraelit dhe Haifën, qytetin e tretë më të madh të Izraelit, megjithëse, shumica e tyre u kapën”, tha ushtria.

“Disa raketa goditën gjithashtu periferitë e Haifas”, tha IDF.

“Times of Israel” e përshkroi atë – si sulmin më të madh me raketa në qytetin port që kur Hezbollahu filloi të sulmonte në veri të Izraelit – një vit më parë.

Trupat tokësore izraelite kishin kapur një post ushtarak të Hezbollahut gjatë avancimit të tyre në territorin libanez, sipas burimeve të sigurisë në Liban.

Burimet libaneze të sigurisë thanë se automjetet ushtarake izraelite u vunë re pranë ushtarëve të dislokuar atje – si pjesë e misionit vëzhgues të OKB-së, UNIFIL.

Nuk kishte asnjë konfirmim të menjëhershëm nga ushtria izraelite.

Zëdhënësi i Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), Andrea Tenenti tha se përleshjet e armatosura midis forcave izraelite dhe Hezbollahut po ndodhnin shumë afër pozicioneve të UNIFIL.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha më vonë se tanket izraelite dhe elementë të tjerë të armatosur që ishin rreth pozicionit 652 ishin larguar.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kishin vendosur një divizion të katërt në Libanin jugor.

Divizioni është një njësi e madhe ushtarake e përbërë nga disa brigada dhe zakonisht përfshin mijëra ushtarë.

Raportet tregojnë se tre divizione të tjera izraelite janë aktualisht të dislokuara në sektorët qendrorë dhe lindorë të frontit.

Hezbollahu ka nisur sulme ndaj Izraelit gjatë vitit të kaluar, duke pretenduar se po vepron “në solidaritet” me Hamasin në Rripin e Gazës.

Shkëmbimet e rregullta të zjarrit kanë kushtuar jetë nga të dyja palët.

Objektivi aktual i Izraelit është të largojë milicinë nga kufiri, duke lejuar rreth 60 000 izraelitë të evakuuar të kthehen në shtëpitë e tyre. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like