TEL AVIV – Izraeli sulmon objektet ushtarake iraniane duke përfshirë pajisjet raketore

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 26 tetor /ATSH-DPA/- Ushtria izraelite kreu sot në orët e para të mëngjesit sulmin e saj të shumëpritur hakmarrës ndaj Iranit – të cilin e cilësoi si “sulme të sakta” ndaj objektivave ushtarake.

Pas një valë sulmesh ajrore që zgjati katër deri në pesë orë, në ato që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e quajtën “Ditët e Pendimit”, ushtria tha se misioni i saj kishte përfunduar.

“Kemi kryer me saktësi sulmet duke shënjestruar objektiva në zona të ndryshme në Iran”, tha sot në mëngjes zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari, duke shtuar se këto vende përfshinin objekte të prodhimit të raketave.

Gjithashtu u sulmuan sistemet e raketave tokë-ajër dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

“Izraeli tani ka liri më të gjerë ajrore të operimit në Iran”, tha Hagari.

“Vendndodhjet u zgjodhën nga një listë objektivash. Nëse bëhet e nevojshme, më shumë objektiva nga kjo listë mund të sulmohen”, shtoi ai.

Sipas raportimeve të mediave, Izraeli bombardoi gjithsej rreth 20 objektiva në Iran.

>

Izraeli tha se kishte nisur sulmet sepse qeveria e Iranit – dhe përfaqësuesit e saj – kishin sulmuar në mënyrë të pamëshirshme Izraelin – që kur grupi islamik palestinez Hamas sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar.

Sulmuesit vranë rreth 1200 njerëz në Izrael, morën rreth 250 peng dhe filluan luftën aktuale midis Izraelit dhe Hamasit.

“Këto sulme kanë qenë në shtatë fronte – duke përfshirë frontin direkt nga Irani”, tha IDF në Telegram.

Izraeli jo vetëm që ka luftuar Hamasin në Gazë, por edhe në frontin e tij verior me milicinë e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, e cila sulmoi Izraelin një ditë pas sulmit të Hamasit.

Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë sulmuar gjithashtu Izraelin.

“Si çdo komb tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”, shkroi IDF në Telegram. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like