TEL-AVIV, 15 shkurt /ATSH-DPA/ Politikanët izraelitë shprehën zemërim ndaj një deklarate të diplomatit britanik dhe zyrtarit të lartë humanitar të OKB-së, Martin Griffiths, sipas të cilit Hamasi nuk është një grup terrorist, por një lëvizje politike.
“Turp t’i vijë”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz në një postim në X që përfshinte një video të Griffiths duke u intervistuar nga Sky News. Katz e quajti Hamasin një “organizatë naziste”.
“Hamasi nuk është një grup terrorist për ne sigurisht, siç e dini. Është një lëvizje politike”, tha Griffiths, i cili shërben si Koordinator i Ndihmës Emergjente i OKB-së dhe mban pozicionin e nënsekretarit të përgjithshëm, tha për “Sky News”.
Griffiths, i cili tregoi për përvojën e tij shumëvjeçare në Kamboxhia dhe Siri, e përshkroi situatën në Gaza si më të keqen që kishte parë.
“Arsyeja pse thashë Gaza është më e keqja është sepse njerëzit nuk mund të shpëtojnë. Ata janë të bllokuar”, tha ai.
I pyetur në lidhje me planin e Izraelit për të eliminuar Hamasin, Griffiths tha se do të ishte shumë e vështirë të shpërndaheshin këto grupe pa një zgjidhje të negociuar që përfshin aspiratat e tyre.
“Qëndrimi i OKB-së pro-Hamasit më në fund po ekspozohet në TV drejtpërdrejt”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, në X. //a.i/