TEL AVIV – Izraeli godet qytetin port libanez ndërsa luftimet ndizen kundër Hezbollahut

by admin
Spread the love

BEJRUT, 28 tetor /ATSH-DPA/- Sulmet dhe bombardimet e rënda izraelite goditën sot qytetin port libanez të Tiros – ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut brenda Libanit jugor.

Videot që qarkulluan në mediet sociale treguan predha të kalibrit të rëndë duke shpërthyer dhe shtëllunga të mëdha tymi të zi që mbulonin Tirin.

Më herët, ushtria izraelite paralajmëroi banorët të zhvendoseshin në vende të sigurta.

“Ushtarët izraelitë ndërkohë vazhduan operacionin e tyre tokësor në Libanin jugor, duke goditur zonën kufitare rreth Kafr Kila”, njoftoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA.

>

“Ushtria izraelite gjithashtu sulmoi zonën me artileri, tanke dhe avionë luftarakë”, tha agjencia.

Ministria libaneze e Shëndetësisë ka raportuar më shumë se 2 600 të vdekur dhe 12 400 të plagosur në Liban – që nga përshkallëzimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut një vit më parë.

Grupi islamik tha se sulmet e tij në veri të Izraelit po demonstronin solidaritet me grupin militant Hamas në Gazë, por që atëherë është shndërruar në një luftë më të gjerë midis dy palëve – të zhvilluara në territorin libanez.

Hamasi ishte përgjegjës për masakrat e 7 tetorit 2023 në komunitetet izraelite, të cilat provokuan një bombardim masiv ajror të Rripit të Gazës – dhe një ofensivë gjithëpërfshirëse tokësore izraelite në territorin palestinez për të eliminuar Hamasin./ /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like