Takim sot ka mbajtur Komiteti i punës për Strategjinë kombëtare të zhvillimit (SKZH), organ këshillimor i Këshillit që siguron mbështetje eksperte dhe teknike në zbatimin e Strategjisë kombëtare të zhvillimit 2024-2044, kumtoi Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Siç theksoi, qëllimi i këtyre aktiviteteve është arritja e ambicieve për rritje ekonomike, drejtësi sociale dhe zhvillim të qëndrueshëm, të përcaktuara me strategjinë.
“Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, në fjalimin e tij hyrës e theksoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe falënderoi UNDP-në dhe Ministrinë e Financave të Republikës së Sllovakisë për mbështetjen e tyre. Janushev theksoi se me miratimin e Strategjinë kombëtare të zhvillimit 2024-2044 dhe Programin për zbatimin e saj 2024-2028, fillon një proces serioz i zhvillimit afatgjatë të vendit”, informoi Ministria.
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj, deklaroi se, megjithëse rruga është e mbushur me sfida, hap edhe mundësi të reja që duhet të shfrytëzohen.
“Maqedonia po përballet me sfida serioze në sektorin e energjisë. Megjithëse konsumi i energjisë për kokë banori është më i ulët se mesatarja e BE-së, ne kemi një shkallë të lartë të varfërisë energjetike dhe degradimit ekologjik. Në vitin 2020, 24 për qind e popullsisë u përball me varfërinë energjetike, tre herë më shumë se mesatarja e BE-së. Qëllimi ynë është të vendosim një ekuilibër midis uljes së varfërisë energjetike dhe rritjes së produktivitetit ekonomik, duke arritur njëkohësisht standardet mjedisore. Prioriteti ynë do të jetë kalimi në energji të pastër dhe rritja e efikasitetit energjetik në të gjithë sektorët, veçanërisht duke mbështetur grupet e cënueshme, siç janë gratë dhe rajonet më pak të zhvilluara. Në të njëjtën kohë, ne do të investojmë në teknologji moderne dhe burime të rinovueshme për efikasitet më të madh të energjisë në industri dhe amvisëri. Përmes tranzicionit të drejtë në sektorin e energjisë do të krijojmë vende të gjelbra të punës dhe do të mundësojmë barazi gjinore në projekte të reja”, theksoi Bozhinovska.
Sipas ministres, dy deri në tre vitet e para janë vendimtare për zbatimin e masave më të rëndësishme dhe ajo u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit të punës që të propozojnë masa konkrete për realizim të shpejtë.
“Me përpjekjet e përbashkëta të të gjithë partnerëve mund të ndërtojmë një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme që do të jetë më e mirë për të gjithë ne”, theksoi Bozhinovska.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale informoi se është duke punuar në përgatitjen e Ligjit të ri për Energjinë dhe Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë. Siç thekson, grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, kompanive energjetike, odave ekonimike dhe shoqatave të prodhuesve të energjisë elektrike, është duke e përpunuar në mënyrë aktive tekstin e ligjit. Propozim-ligji pritet të dorëzohet në Kuvend më së voni deri në fillim të dhjetorit, për të përmbushur detyrimet e marra nga Marrëveshja për themelimin e Komunitetit të Energjisë.
“Strategjia Kombëtare e Zhvillimit (SKZH) është një dokument vizionar për 20 vitet e ardhshme, i cili e orienton vendin drejt zhvillimit afatgjatë nëpërmjet një modeli heliks të katërfishtë, duke mundësuar një bashkëpunim të integruar midis shtetit, sektorit të biznesit, komunitetit akademik dhe sektorit civil. Në periudhën në vijim do të zhvillohen veprime konkrete për realizimin e strategjisë”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.