STAMBOLL – Turqia vazhdon sulmet ndaj grupeve kurde në Siri dhe Irak

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 28 tetor /ATSH-DPA/- Forcat turke sulmuan sot pozicionet e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Siri dhe Irak – për të pestën ditë radhazi pas një sulmi të PKK-së ndaj një kompanie armatimesh në Ankara.

Ministria turke e Mbrojtjes tha në një postim në X se sulme ishin kryer në pozicionet e PKK-së në Irakun verior dhe në veri të Sirisë ndaj milicisë kurde YPG, të cilën Turqia e sheh si aleate të PKK-së.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) dhe aktivistët kurdë konfirmuan sulmet në veri të Sirisë, duke thënë se ata kishin shënjestruar infrastrukturën rreth Al-Hasakah.

“Sulmet shkatërruan kapanone gruri, një fabrikë qumështi dhe një fabrikë për prodhimin e djathit. Impiantet e prodhimit të ujit, gazit dhe energjisë elektrike u sulmuan gjithashtu”, thanë ata.

>

Ministria turke e Mbrojtjes pretendon se 23 terroristë ishin eliminuar në Irak dhe 14 të tjerë në Siri. SOHR, në të kundërt raportoi se të paktën 17 civilë ishin vrarë që nga e mërkura.

Të mërkurën, pesë persona u vranë në sulmin në Ankara, së bashku me dy sulmues. PKK ka marrë përgjegjësinë.

PKK, e ndaluar si organizatë terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka luftuar kundër shtetit turk që nga vitet 1980. Selia e saj shtrihet në malet Kandil të Irakut verior.

Turqia pushton rajonet kufitare në veri të Sirisë në bashkëpunim me grupet rebele. / /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like