SOT, ORA 21:00/ Hansi Flik driblon Bajernin: Historinë s’mund ta zhbëjmë, dua të fitoj me Barçën

by admin
Spread the love

Hansi Flik është njeriu i dy botëve. Trajneri gjerman është ai që lidh Bajernin dhe Barcelonën. Ishte pikërisht ai që me Bajernin, plot katër vjet më parë shkatërronte Barcelonën 8-2 në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve në Lisbonë, me bavarezët që fituan më pas trofeun në finalen kundër Paris SG-së.

Tashmë, ai është në krahun tjetër. Dhe nuk mund t’i shmangej ngacmimeve të mediave spanjolle e gjermane në prag të takimit mes Barçës dhe Bajernit në takimin e tretë në Champions. Flik ka dribluar me elegancë pyetjen. “Ajo çfarë ndodhi në atë ndeshje nuk mund të kthehet më. Nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar. Tani shpresoj të fitoj me Barcelonën”, tha Flik.

NIVELI I EKIPIT – “Ndeshjet mund të shkojnë në mënyra shpesh të paparashikuara, shumë gjëra mund të ndodhin. Ndaj fokusi jonë është vetëm Bajerni e jo Reali. Ne duhet të ecim hap pas hapi dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe e radhës është kjo kundër Bajernit. Ata kanë lojtarë të jashtëzakonshëm… kjo është ajo që dëshirojmë, të përballemi me më të mirët”.

BAJERNI I MYNIHUT – “E shkuara nuk vlen, vlen e tashmja. Nuk mund të ndryshojmë çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por mund të ndryshojmë të tashmen. E kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë, duhet të mundim Bajernin”.

NJOHJA RECIPROKE – “Ne e përgatisim çdo ndeshje, duke analizuar kundërshtarin. Por natyrisht është evidente se kjo është një ndeshje e veçantë, kam luajtur atje, kam trajnuar atje… kam shumë njohje në Mynih me të cilët vazhdoj të mbaj miqësi. Por tani jam në një kapitull të ri në karrierën time dhe unë jam i lumtur në Barcelonë. Kam ndjesi pozitive për këtë ndeshje dhe jam i kënaqur që luajmë në Barcelonë para publikut tonë. Bajernin e njoh mirë dhe parashikoj një përballje të ndërlikuar”.

>

QASJA, TAKTIKA – “Nuk mund të tregoj kartat e mia para ndeshjes. Në kokë i kemi të qarta idetë, por kemi dhe një plan B, sepse rrallë ndodh që një ndeshje të shkojë siç e ke përgatitur, apo siç e ka parashikuar. Do të jetë e rëndësishme ta vëmë nën presion Bajernin dhe të mbrohemi mirë. Gabimet duhet të jenë minimale”.

8-2 I BAJERNIT – “Le t’ia lëmë historisë të shkuarën. Tani jemi këtu të gjithë së bashku duke punuar ditë për ditë për të bërë diçka të mirë për Barcelonën. Lojtarët janë shumë të lidhur mes tyre. Mjafton t’iu kujtoj momentin e futjes në fushë të Gavit kundër Seviljes. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Kjo është rruga që kemi zgjedhur, të punojmë fort, sepse vetëm kështu mund të jemi të suksesshëm”.

STILI I GJERMANËVE – “Bajerni është një skuadër që të imponohet gjithnjë. Forma që ka zgjedhur është agresiviteti, presingu dhe zotërimi i topit. Bajerni përpiqet të imponojë stilin e tij me cilësi. E kanë në ADN”.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

You may also like