Sjelljet që të zbukurojnë dhe fitojnë simpatinë e të tjerëve – Shqip

by admin

Duhet të jeni të sjellshëm me jetën, nëse doni që edhe ajo të jetë e sjellshme me juve” – Françoise Sagan

Sjelljet e pëlqyeshme janë ato sjellje dhe rregulla të pranuara apo të pëlqyera nga pjesa më e madhe e njerëzve në një komunitet. Ato janë rekomandime, të cilat na ndihmojnë të jemi më miqësorë ndaj njerëzve dhe mjedisit ku jetojmë. Ato reflektojnë praktikat më të mira të kohërave.

Sjelljet e pëlqyeshme janë udhëzues praktikë, për t’i bërë gjërat në mënyrë të tillë për të lumturuar jetën tonë dhe t’i bëjmë të tjerët të ndihen të lumtur gjithashtu.

Zhvillimi i shoqërisë njerëzore solli nevojën e përcaktimit të disa rregullave. Pëlqimi, pranimi, mishërimi dhe respektimi i këtyre rregullave nga të gjithë anëtarët e shoqërisë, mundësoi një bashkëjetesë më të mirë, më të harmonishme, krijoi një liri më të madhe komunikimi dhe veprimi për individin dhe shoqërinë.

>

Sot njerëzit nuk sillen apo komunikojnë më keq se më parë, por me presionin që ushtron jeta moderne, bëhet më e vështirë për t’u sjellë në mënyrë të pëlqyeshme.

Jeta është paradoksale dhe ne duhet të jetojmë me këto paradokse. Bukuria shpirtërore krijohet nga vlera që ne i shtojmë marrëdhënies me të tjerët dhe me veten. Bukuria shpirtërore është e rëndësishme, por nuk duhet harruar edhe ajo fizike. Sjellja e njerëzve nuk përcaktohet nga veshja, por mund të ndikohet prej saj.

Organizatat e suksesshme investojnë në asetin e tyre më të rëndësishëm, punonjësin. Çdo njeri brenda vetes ka anën e tij të mirë sikurse dhe atë të keqe, por shfaq atë që ai beson dhe e ushqen më tepër. Prandaj duhet të ndërtojmë kulturën e duhur që të ushqejmë anën e mirë, për t’u bërë njerëz më të mirë për veten, për organizatën ku punojmë dhe për komunitetin ku jetojmë.

Sjellja dhe komunikimi i duhur me njeriun, vendin, kohën dhe me mënyrën e duhur kërkon kohë, eksperiencë dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës. Asnjë nuk lind i ditur, por bëhesh kur ke dëshirën, njohuritë, mundësinë dhe mbështetjen e duhur.

You may also like