Broja, “shansi i fundit” në Premier Ligë. Pothuajse çdo futbollist kalon momente të vështira në karrierën e tij, ndërsa e rëndësishme është lënia e tyre pas dhe rikthimi në gjendjen më të mirë të mundshme.
Ndryshe nga huazimi i parë apo i dytë, ku Armando mori minutat e para në futbollin profesionist me Viteshen në Holandë apo shkëlqeu në sezonin e tij të parë në Premier Ligë me Sauthemptonin, koha te Çelsi, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, nuk shkoi në mënyrën që sulmuesi do të dëshironte.
Periudha jo e mirë në klub, ndryshimi i disa trajnerëve si Tomas Tuhel, Graham Poter, Frenk Lampard dhe Mauricio Poçetino ndikuan edhe te Broja, i cili nuk gjeti ndonjëherë atë ngrohtësinë dhe besimin e dhënë nga stafi si një lojtar i akademisë blu. Një dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit në dhjetor të 2022-t sollën atë që në futboll quhet “të mbetesh mbrapa”.
Broja qëndroi për gati 9 muaj jashtë dhe rikthimi padiskutim që kërkonte kohën e vet. Dashuria për topin triumfon mbi gjithçka. Por nga ana tjetër, Çelsi nuk mund të priste dot pasi presioni i pikëve dhe gara në Premier Ligë ishte e ashpër në raport me rivalët. Kështu në janar u vendos që 23-vjeçari të kalonte te Fullhemi në formë huazimi për të gjetur më shumë hapësirë, por “shpërthimi” i Rodrigo Muniz, sulmuesit brazilian të ekipit ku Armando shkoi, e la atë në stol shumicën e ndeshjeve.
Është masakruese për një sulmues për më tepër në moshën e Brojës që të qëndrojë në stol, megjithatë në verë u kthye te Çelsi dhe zhvilloi fazën përgatitore me blutë. Në stol nuk ishte më Poçetino, por drejtimin e kishte marrë Enco Mareska. Italiani pasi e ndoqi nga afër në fazën përgatitore dhe e aktivizoi në disa ndeshje miqësore, nuk pati besim te Broja dhe klubit londinez i komunikoi se shqiptari nuk ishte në planet e tij.
Ndërkohë duhej të gjendej një sistemim i ri për Armandon. Ipsuiçi ishte në skenë me mundësinë për ta blerë, por një dëmtim gjatë stërvitjeve me blutë, sollën skepticizëm te klubi i sapo ngjitur gjatë vizitave mjekësore. Kështu Ipsuiçi u tërhoq dhe te Broja besoi Evertoni, i cili e huazoi në orën e fundit të merkatos dhe ra dakord me Çelsin për t’ia paguar rrogën deri në momentin që do të zbresë në fushë.
Ata e kanë edhe opsionin e blerjes për sulmuesin dhe kjo mund të aktivizohet nëse Broja deri në fund të sezonit, iu provon të gjithëve sa i vlen lëkura dhe se është i përshtatshëm për të luajtur akoma në një kampionat të fortë si Premier Liga. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, e ardhmja e tij mund të jetë jashtë Anglisë, por deri atëherë duhet të presim. Duhet të presim në fakt edhe 2-3 javë për të parë në aksion sulmuesin e Kombëtares shqiptare.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL