Sindroma e projekteve pilot

by admin

Pse kompania juaj nuk po rrit zbatimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese. Ndërsa punëdhënësit ngurrojnë, punëtorët janë disa hapa përpara, shkruan The Economist

 

Për investitorët që janë të shqetësuar se gjigantët e teknologjisë amerikane po ndërmarrin rreziqe të mëdha financiare për Inteligjencën Artificiale gjeneruese (AI), rezultatet më të fundit tremujore të kompanive të mëdha teknologjike kanë qenë ngushëlluese.

Pati një rritje të madhe të kërkesës nga kompanitë, për shërbimet cloud të Amazon, Microsoft dhe Google. Andy Jassy, shefi i Amazon, tha se të ardhurat nga Inteligjenca Artificiale për Shërbimet Amazon (AWS) po rriteshin me ritme treshifrore, tri herë më shpejt sesa u rrit vetë AWS-ja në vitet e hershme pasi u krijua shërbimi cloud në 2006.

Megjithatë, po të vështrojmë më në thellësi, gjendja është më e ndërlikuar. Inteligjenca Artificiale gjeneruese duket se është një risi teknologjike e ngjashme me shpikje si email-i ose celularët smartphone, përdoruesit më të etur të të cilëve janë individët. Ndërkohë, kompanitë janë shumë më ngurruese.

Në dy vitet që kur kompania e Inteligjencës Artificiale OpenAi paraqiti aplikacionin ChatGPT, Inteligjenca Artificiale gjeneruese ka pasur një normë më të shpejtë përdorimi sesa kompjuterët portativë ose interneti.

Plot 39% e amerikanëve tani thonë se e përdorin ndonjëherë, sipas një studimi nga Alexander Bick dhe bashkautorët në Bankën e Rezervës Federale St. Louis; 28% thonë se e përdorin për punë, dhe 11% se e përdorin çdo ditë.

Sidoqoftë, shumë prej këtyre njerëzve duket se e kanë punën të tillë që mund të përshtatet mjaft mirë me Inteligjencën Artificiale. Vetëm 5% e bizneseve amerikane thonë se po e përdorin këtë teknologji për të prodhuar mallra ose shërbime, sipas një sondazhi nga Zyra e Regjistrimit e SHBA-së.

Shumë kompani duket se kanë ngecur në fazën e projekteve pilot, pa e zbatuar plotësisht teknologjinë.

Për shembull, në një sondazh të fundit të kryer në 14 shtete nga firma Deloitte, vetëm 8% e drejtuesve të kompanive thanë se kompanitë e tyre kishin zbatuar më shumë se gjysmën e eksperimenteve për zbatimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese (shih grafikun).

Si pasojë, të ardhurat e kompanive nga shitja e shërbimeve të Inteligjencës Artificiale, mbeten të kufizuara. Edhe pse zoti Jassy tha se AWS tani fiton “shumë miliarda” dollarë të ardhura nga Inteligjenca Artificiale, kjo është pak në krahasim me të ardhurat vjetore të biznesit cloud, prej 110 miliardë dollarësh.

Firma këshillimore Accenture, që njoftoi kohët e fundit se do të trajnonte një staf prej 30,000 vetash për të ndihmuar kompanitë të vënë në zbatim Inteligjencën Artificiale gjeneruese, tha se gjatë 12 muajve të fundit, kishte përgatitur punë me vlerë 3 miliardë dollarë në lidhje me këtë teknologji, një rritje prej dhjetëfish në bazë vjetore.

Por, krahasuar me shitjet totale të kompanisë prej më shumë se 81 miliardë dollarësh, edhe kjo është një shifër e vogël.

 

Ngurrimi

Pse shumë drejtues po ngurrojnë që të vënë në zbatim Inteligjencën Artificiale gjeneruese? Një arsye është se ata shqetësohen për anët e saj negative. Sundar Pichai, CEO i kompanisë Alphabet, tha në korrik se “rreziku i nëninvestimit është shumë më i madh se rreziku i investimit të tepërt”.

Kompanitë Alphabet, Amazon, Microsoft dhe Meta, këtë vit pritet të derdhin të paktën 200 miliardë dollarë në shpenzimet kapitale të lidhura me Inteligjencën Artificiale. Drejtuesit në industri të tjera janë më të kujdesshëm.

Në një takim të kohëve të fundit me dyer të mbyllura, kreu i një grupi të madh biznesi amerikan, foli për dy lloje frike që shefat e kompanive kanë për Inteligjencën Artificiale gjeneruese.

Njëra është se kompanitë që nuk e vinin në zbatim këtë teknologji, do të mbeteshin mbrapa. Dhe tjetra është se po të lëviznin për ta vënë në zbatim shumë shpejt, do të dëmtonin reputacionin e firmës së tyre.

Rreziqet ligjore dhe rregullatore janë të mëdha. Paditë në lidhje me privatësinë, paragjykimet dhe shkeljet e të drejtave të autorit, po vërshojnë nëpër gjykata.

Në gusht, hyri në fuqi Akti i Bashkimit Europian mbi Inteligjencën Artificiale. Projektligjet për Inteligjencën Artificiale janë paraqitur në të paktën 40 shtete amerikane këtë vit.

Drejtuesit e kompanive që operojnë në industri me ligje të rrepta rregullatore, si kujdesi shëndetësor dhe financat, janë veçanërisht të kujdesshëm ndaj Inteligjencës Artificiale.

Megjithëse ata e kuptojnë potencialin që ka kjo teknologji për të shndërruar bizneset e tyre, për shembull, duke përshpejtuar zbulimin e drogës ose të mashtrimeve, gjithsesi janë shumë të vetëdijshëm për kërcënimet ndaj privatësisë dhe sigurisë, nëse rrezikohen të dhënat mjekësore ose financiare të klientëve.

Një problem tjetër është se përfitimet nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale gjeneruese janë disi të paqarta. Qasja në modelet e mëdha gjuhësore (LLM) është një nismë e shtrenjtë, qoftë nëpërmjet serverëve të një kompanie (më e sigurt), ose nëpërmjet ofruesve të shërbimeve cloud (më e thjeshtë).

Zbatimi në shkallë të plotë i Inteligjencës Artificiale gjeneruese, mund të rrisë të ardhurat dhe të ulë kostot, por fitimi nuk është i menjëhershëm, kështu që ngrihen shqetësime për kthimin e investimit.

Në sondazhin e fundit, firma Deloitte zbuloi se përqindja e drejtuesve me një nivel “të lartë” ose “shumë të lartë” interesi për Inteligjencën Artificiale gjeneruese kishte rënë nga 74%, në 63% në tremujorin e parë të vitit, çka tregon se “shkëlqimi i teknologjisë së re”, mund të zbehet.

Një zyrtar e shpreh skepticizmin duke rrëfyer historinë e një shefi të informacionit, të cilit eprori i tha se nuk duhej të premtonte një rritje prej 20% të produktivitetit, nëse nuk ishte i përgatitur të shkurtonte numrin e punonjësve të departamentit të tij me një të pestën.

Edhe në rastet kur kompanitë janë të etura për të rritur përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese, kjo mund të jetë një punë e ndërlikuar.

Për të korrur përfitimet e plota të teknologjisë, bizneset duhet që së pari të përgatisin të dhënat, sistemet dhe fuqinë e tyre punëtore, thotë Lan Guan, shefja e Departamentit të Inteligjencës Artificiale në kompaninë Accenture.

Ajo vlerëson se gatishmëria e kompanive për të vënë në praktikë përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese, është shumë më e ulët se sa ishte për valët e mëparshme të teknologjisë, si interneti ose shërbimi kompjuterik cloud.

Një problem janë të dhënat e çrregullta, të shpërndara nëpër formate të ndryshme dhe nëpër departamente dhe sisteme të ndryshme softuerike.

Zonja Guan jep si shembull një kompani telekomunikacioni që dëshironte të trajnonte një asistent të Inteligjencës Artificiale në qendrën e thirrjeve telefonike, duke i dhënë atij dokumente PDF, manuale, regjistrat e thirrjeve dhe shumë të dhëna të tjera. Roboti zbuloi se në vend të një procedure standarde operative, kompania kishte 37 të tilla, të grumbulluara gjatë dekadave.

Nëse të dhënat nuk organizohen para përdorimit të tyre nga një robot, kjo rrit rrezikun e halucinacioneve dhe gabimeve të robotit, shpjegon ajo.

Një problem tjetër është se sistemet e IT-së, shpesh janë të vjetruara dhe me mangësi, një problem i njohur si “borxhi teknik”. Kjo mund ta bëjë të vështirë ndërfutjen e modeleve të Inteligjencës Artificiale LLM, pa shkaktuar probleme.

Integrimi i agjentëve gjysmë autonomë të Inteligjencës Artificiale, nëpër sisteme të ndërtuara për njerëzit, mund të krijojë gjithashtu dobësi sigurie.

Një tjetër problem janë aftësitë. Shumë kompani ende nuk kanë mjaftueshëm specialistë të Inteligjencës Artificiale. Sipas firmës kërkimore Lightcast, njoftimet e vendeve të punës të lidhura me Inteligjencën Artificiale në Amerikë, janë rritur me 122% këtë vit, krahasuar me një rritje prej 18% në vitin 2023.

Elizabeth Crofoot, ekonomiste në firmën Lightcast, thotë se kjo rritje ka ndodhur kryesisht falë Inteligjencës Artificiale gjeneruese, sepse përshkrimet e njoftimeve të vendeve të punës përmendin ChatGPT, inxhinierinë e shpejtë dhe modelet e mëdha gjuhësore LLM.

Kompanitë gjithashtu duan punëtorë në role të tjera që dinë të përdorin Inteligjencën Artificiale gjeneruese. Një përfaqësues shitjesh që është i aftë në përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese mund të fitojë 45,000 dollarë në vit më tepër se dikush që nuk i ka këto aftësi, thotë zonja Crofoot.

Pra, nuk është për t’u habitur që edhe pse disa drejtues e kundërshtojnë rritjen e Inteligjencës Artificiale gjeneruese, punonjësit e tyre po e përdorin.

Përktheu: Lira Muça

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like