Shqipëria kërkon fitoren në Tbilisi

by admin
Spread the love

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll synon të rikthehet tek fitorja në Ligën e Kombeve.

“Kuqezinjtë” i kanë humbur dy ndeshjet e fundit në këtë garë dhe tani kërkojnë fitoren në udhëtim te Gjeorgjia.

Dueli Gjeorgji – Shqipëri, do të luhet sot prej orës 18:00 në Tbilisi dhe i takon Ligës B të Ligës së Kombeve.

Gjeorgjia e ka mposhtur Shqipërinë muajin e shkuar në Tiranë dhe aktualisht i prinë grupit me 6 pikë, sa i ka edhe Çekia në vendin e dytë.

Shqipëria është e treta me tri pikë, ndërsa në pozitën e katërt renditet Ukraina.

Skuadra e Sylvinhos ndaj Gjeorgjisë futet pas humbjes që e regjistroi javën e shkuar në Pragë nga Çekia me rezultatin 2:0.

Shqipëria pritet të jetë e kompletuar për këtë ndeshje, ndërsa sipas të gjitha gjasave Sylvinho nuk do ta ndryshoj formacionin pasi do të luaj me 11-shen identike që u paraqit me Çekinë.

Në portë do të jetë Thomas Strakosha, ndërsa vija e mbrojtjes do të përbëhet nga Elseid Hysaj e Mario Mitaj në krah kurse në qendër do të vendosen Ardian Ismajli e Marash Kumbulla.

Para mbrojtjes do të jenë mesfushorët Ylber Ramadani e Qazim Laçi, ndërsa sulmuesin e vetëm Mirlind Daku do ta përkrah nga prapa treshja Nedim Bajrami, Kristjan Asllani e Jasir Asllani.

 

 

You may also like