SHBA – Uragani “Milton” bën kërdinë në Florida

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 10 tetor /ATSH-DPA/- Uragani “Milton” zbarkoi rreth ores 2:30 të mëngjesit – si një stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme e kategorisë 3, duke goditur Siesta Key në bregun perëndimor të Floridës, njoftoi sot Qendra Kombëtare e Uraganeve.

“Erërat e stuhisë arritën deri në 193 kilometra në orë”, thanë meterologët.

Stuhia ndërpreu energjinë në një pjesë të madhe të Floridës, me më shumë se 3 milionë shtëpi dhe biznese pa energji që nga fillimi i së enjtes, sipas poweroutage.us, i cili gjurmon raportet e shërbimeve.

Në kohën kur po afronte lindja e diellit, “Milton” nisi të reduktohej në një uragan të Kategorisë 1 ndërsa shtyhej drejt Oqeanit  Atlantik. Erërat maksimale të qëndrueshme ishin 150 kilometra në orë.

Megjithatë, duke pasur parasysh madhësinë e madhe të stuhisë, paralajmërimet mbetën po aq urgjente.

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas e përshkroi situatën si një “çështje jete a vdekjeje”.

Milton tani pritet të lëvizë nga Bregu i Gjirit të Floridës përtej shtetit drejt Oqeanit Atlantik. Priten shkatërrime të rënda edhe përtej brigjeve.

Edhe para se të mbërrinte uragani, tornadot shpërthyen në disa pjesë të Floridës. Nivelet e ujit u rritën me shpejtësi pasi erërat e forta çuan ujin e detit në brendësi të vendit.

Meteorologët parashikuan se mund të ishte një nga stuhitë më të rrezikshme në historinë e shtetit.

Përveç shpejtësive ekstreme të erës, priten reshje të dendura shiu dhe stuhi të rrezikshme, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të mëdha.

Miliona njerëz u kërkuan të evakuoheshin. Për shkak të stuhisë, presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se do të shtynte vizitën në Gjermani dhe Angola. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like