SHBA – Uashingtoni: Lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut nuk është e pashmangshme

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 20 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria amerikane thotë se lufta midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut të Libanit mund të shmanget – pavarësisht sulmeve të ndërsjella të fundit, tha sot këshilltari për komunikim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

“Ne ende besojmë se ka kohë dhe hapësirë ​​për një zgjidhje diplomatike. Ne mendojmë se kjo është rruga më e mirë përpara”, tha Kirby.

“Lufta në kufirin midis Izraelit dhe Libanit nuk është e pashmangshme. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar atë”, shtoi ai.

Kirby nuk dha detaje mbi sulmin e fundit izraelit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut – duke thënë se ushtria izraelite do të bënte një deklaratë për operacionet e saj.

Ai tha se nuk ishte në dijeni nëse qeveria amerikane ishte informuar paraprakisht.

Pavarësisht thirrjeve mbarëbotërore për vetëpërmbajtje, sulmet vazhdojnë midis Izraelit dhe milicisë shiite të Libanit, Hezbollahut, duke shkaktuar frikën për një konflikt më të gjerë në rajon.

Lidhur me luftën midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas në Rripin e Gazës, Kirby tha se Uashingtoni nuk ka hequr dorë nga shpresa për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve.

“Askush nuk do të heqë dorë nga shpresa. Askush nuk do të ndalojë së punuari për këtë”, tha Kirby. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like