UASHINGTON, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Edhe një herë, Donald Trump po ngjall frikë në mesin e mbështetësve të tij duke pretenduar, pa fakte, se e vetmja mënyrë për të humbur zgjedhjet presidenciale të së martës është vjedhja e votave.
Është i njëjti pretendim që ai pati katër vjet më parë kur presidenti i SHBA, Joe Biden e mundi atë në votime, megjithëse Trump dhe shumë nga mbështetësit e tij ende refuzojnë të pranojnë humbjen e tyre.
”E vetmja gjë që mund të na ndalojë është mashtrimi”, theksoi Trump.
Në një paraqitje në Arizona, Trump tha se ai ishte duke udhëhequr në secilin nga shtatë shtetet kryesore që do të vendosnin zgjedhjet.
“Unë udhëheq në çdo shtet”, theksoi ai.
Në të vërtetë, ”Washington Post” raportoi se mes votuesve që kanë hedhur tashmë votat e tyre, Harris ishte në krye të sondazheve.
Sondazhet e fundit kombëtare të atyre që kanë votuar tashmë i japin Harris një epërsi 19-29 pikë ndaj Trump.
Këto shifra janë më të ulëta se ato të Bidenit gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, kur më shumë votues amerikanë hodhën votat e tyre herët për shkak të koronavirusit, por më të larta se ato që u panë për Hillary Clinton në 2016.
Në një bisedë me prezantuesin e krahut të djathtë Tucker Carlson, Trump pretendoi se ”disa përpjekje mashtrimi ishin zbuluar tashmë” por pa dhënë asnjë provë./ /os/