SHBA – Trump ”Personi i vitit 2024” nga revista ”Time”

by admin

UASHINGTON, 12 dhjetor /ATSH/ – Rreth gjashtë muaj më parë, Donald Trump u ul në një sallë gjyqi në Manhatan duke dëgjuar një juri që e shpalli atë ish-presidentin e parë të dënuar për një krim, sipas AP.

Trump do t’i bjerë ziles së hapjes së Bursës së Nju Jorkut të enjten, shumë pak hapa nga ajo gjykatë, ndërkohë që edhe revista ”Time” do ta shpallë atë si personin e vitit.

Nderimet për biznesmenin e kthyer në politikan janë një masë e kthimit të jashtëzakonshëm të Trump nga një ish-president i izoluar, i cili refuzoi të pranonte humbjen e tij në zgjedhje katër vjet më parë, ndaj një presidenti të zgjedhur që fitoi me vendosmëri Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Sam Jacobs, kryeredaktori i ”Time”, njoftoi në emisionin “Today” të NBC se Trump ishte personi i vitit 2024.

Jacobs tha se ”Trump ishte dikush që për mirë apo keq, kishte ndikimin më të madh në lajmet në vitin 2024″.

”Ky është dikush që ka bërë një rikthim historik, i cili ka riformatuar presidencën amerikane dhe që po riorganizon politikën amerikane. Është e vështirë ta argumentosh vetëm me faktin se personi që zhvendoset në Zyrën Ovale është personi më me ndikim në lajme”, theksoi Jacobs.

Në një intervistë me revistën, e botuar të enjten, Trump foli për fushatën e tij të fundit dhe fitoren në zgjedhje.

Trump pritet të jetë në Wall Street për të festuar fillimin ceremonial të tregtimit të ditës, sipas katër personave të njohur me planet e tij, të cilët nuk ishin të autorizuar për ta diskutuar çështjen publikisht dhe folën për Associated Press në kushte anonimati.

Trump ishte gjithashtu personi i vitit nga ”Time” në 2016, kur u zgjodh për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai u rendit si një finalist për çmimin e këtij viti së bashku me njerëz të shquar, përfshirë zëvendëspresidenten Kamala Harris, miliarderin Elon Musk, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Kate, princeshën e Uellsit./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like