UASHINGTON, 5 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin përsipër Rripin e Gazës dhe do të zhvillojnë zonën bregdetare palestineze të shkatërruar nga lufta duke e shndërruar në rivierën e Lindjes së Mesme.
“Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në vend, do të rrafshojmë vendin dhe do të shpëtojmë nga ndërtesat e shkatërruara”, tha Trump pas një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
”Rreth dy milionë palestinezë që jetojnë në Gaza duhet të zhvendosen në vende të tjera”, tha ai pa dhënë hollësi.
Trump shtoi se Gaza mund të bëhet “riviera e Lindjes së Mesme” ku çdokush, përfshirë palestinezët, mund të jetojnë.
Lufta e Gazës u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023, gjatë të cilave 1 200 njerëz u vranë dhe më shumë se 250 u rrëmbyen.
Lufta e mëvonshme e ka lënë brezin bregdetar në gërmadha dhe ka krijuar një katastrofë humanitare.
Më shumë se 47 400 njerëz janë vrarë, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi.
Numri nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Gjatë konferencës për shtyp, Trump nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të siguruar zonën.
“Sa i përket Gazës, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë atë”, tha ai.
Në fund të janarit, Trump u bëri thirrje vendeve arabe që të rrisin numrin e refugjatëve palestinezë që pranojnë nga Rripi i Gazës.
Propozimi ngriti shqetësime te palestinezët se mund të çojë në një spastrim etnik të popullsisë së Gazës dhe udhëheqësit e Palestinës, Egjiptit dhe Jordanisë, si dhe autoriteti Islamast Hamas në Rripin e Gazës, e dënuan sugjerimin./ a.jor.