UASHINGTON, 13 mars /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Vladimir Putin kishte bërë një deklaratë “shumë premtuese” për një armëpushim në Ukrainë, por tha se ai “nuk ishte i plotë”.
Presidenti rus tha se vendi i tij ishte “në favor” të një armëpushimi, por përmendi “çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur”, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina hartuan një plan armëpushimi 30-ditor gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite.
“Do të ishte një moment shumë zhgënjyes për botën, nëse Moska do ta refuzonte këtë propozim”, tha Trump.
“Unë do të doja ta takoja ose të bisedoja me të, por çështja e armëpushimit duhet të zgjidhet shpejt”, theksoi ai.
Donald Trump, i dërguari i posaçëm i të cilit Steve Witkoff mbërriti në Rusi të enjten, shtoi se diskutimet amerikane me Ukrainën ishin fokusuar në “pjesët e territorit që do të ruheshin dhe humbeshin dhe në të gjithë elementët e tjerë të një marrëveshjeje përfundimtare të paqes”.
“Shumë nga detajet e një marrëveshjeje përfundimtare janë diskutuar në të vërtetë, megjithatë faza e parë është armëpushimi”, deklaroi Trump, pas takimit në Uashington me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte./ /os/