UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH/- Miliona amerikanë iu drejtuan sot qendrave të votimit për të zgjedhur midis dy vizioneve të ndryshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Reuters”
Një garë e goditur nga ngjarje të paprecedentë – dy tentativa për vrasje kundër Trump, tërheqja e papritur e presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe rritja e shpejtë e zëvendëspresidentes Kamala Harris.
Fushata e Trump ka sugjeruar se ai mund të shpallë fitoren natën e zgjedhjeve edhe pse miliona fletë votimi ende nuk janë numëruar, ashtu siç bëri katër vjet më parë.
Ish-presidenti amerikan ka thënë vazhdimisht se çdo humbje mund të rrjedhë vetëm nga mashtrimi i përhapur, duke i bërë jehonë pretendimeve të tij të rreme të vitit 2020.
Fituesi mund të mos zbulohet për ditë të tëra – nëse marzhet në shtetet kyçe janë aq të pakta sa pritet.
Pavarësisht se kush fiton në Shtëpinë e Bardhë, historia do të shkruhet.
Harris, 60 vjeçe, zëvendëspresidentja e parë grua do të bëhet drejtuesja e parë, grua zezake dhe amerikano-aziatike që do të fitonte presidencën.
Trump, 78 vjeç, i vetmi president që u akuzua dy herë dhe ish-presidenti i parë që u dënua penalisht, do të fitonte mandate jo të njëpasnjëshme – një sukses i realizuar vetëm në fund të shekullit XIX nga demokrati Grover Cleveland.
Sondazhet e opinionit në ditët e fundit të fushatës kanë treguar se Trump dhe Harris janë kokë më kokë në secilin nga shtatë shtetet që mund të përcaktojnë fituesin: Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin.
Gara pasqyron një vend thellësisht të polarizuar. Trump ka përdorur një retorikë gjithnjë e më të errët dhe apokaliptike në fushatë, ndërsa Harris ka paralajmëruar se një mandat i dytë i Trump do të kërcënonte vetë themelet e demokracisë amerikane.
Kontrolli i të dyja dhomave të Kongresit është gjithashtu i mundshëm. Republikanët kanë një rrugë më të lehtë në Senatin e SHBA-së, ku demokratët po mbrojnë disa vende në shtetet me prirje republikane, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve duket midis dy alternativave.
“Më shumë se 80 milionë amerikanë kishin votuar tashmë përpara ditës së sotme, qoftë me postë ose personalisht”, sipas Laboratorit Zgjedhor të Universitetit të Floridës.
Gjatë fushatës, Trump goditi fillimisht Biden dhe më pas Harris për mënyrën se si ata e kishin trajtuar ekonominë, gjë që sondazhet tregojnë se është në krye të shqetësimeve të votuesve pavarësisht papunësisë së ulët dhe uljes së inflacionit. //a.i/