SHBA – Telefonatë 50-minutëshe Biden-Netanyahu në mes të ofensivës izraelite kundër Hezbollahut

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 tetor /ATSH-ANSA-AFP/ – Një bisedë telefonike mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka zgjatur 50 minuta, raporton faqja e internetit Ynet duke kujtuar se biseda ka ndodhur një muaj e gjysmë pas kontaktit të fundit të drejtpërdrejtë mes dy liderëve.

”Zëvendëspresidentja dhe kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, gjithashtu iu bashkua telefonatës”, konfirmon Ynet.

Ata diskutuan veçanërisht për luftën midis Izraelit dhe Hezbollahut, në një kohë kur ushtria izraelite po zgjeron ofensivën e saj kundër lëvizjes pro iraniane në Libanin jugor.

Sulmet me raketa lanë dy të vdekur të mërkurën në veri të Izraelit, në kufi me Libanin, sipas shërbimeve izraelite të emergjencës, ndërsa Hezbollahu raportoi për luftime dhe siguroi se kishte zmbrapsur dy herë inkursionet izraelite në agim.

Telefonata mes Benjamin Netanyahu dhe Joe Biden është e para në pothuajse dy muaj mes dy liderëve, marrëdhëniet e të cilëve janë të vështira.

Sipas faqes amerikane ”Axios”, Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu do të diskutonin veçanërisht planin e Izraelit për të goditur Iranin, në përgjigje të një sulmi raketor iranian të nisur më 1 tetor kundër territorit të tij.

Ky sulm u prezantua nga Irani si një përgjigje ndaj vrasjes së Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut, i vrarë më 27 shtator në një sulm izraelit pranë Bejrutit, dhe të liderit të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Ismail Haniyeh, i vrarë në Teheran më 31 korrik në një sulm për të cilin fajësohet Izraeli.

Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka udhëhequr një ofensivë shkatërruese në Rripin e Gazës, e nisur si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit në tokën izraelite.

Lufta është përhapur kohët e fundit në Liban dhe shoqërohet me një përshkallëzim midis Izraelit dhe Iranit, i cili mbështet Hezbollahun dhe Hamasin./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like