SHBA – Mbi 80 nobelistë mbështesin Harrisin për presidente

by admin
Spread the love

NJU JORK, 24 tetor /ATSH-ANSA/ – Mbi 80 fitues amerikanë të çmimit Nobel për Fizikë, Kimi, Mjekësi dhe Ekonomi kanë nënshkruar një letër në mbështetje të zgjedhjes së Kamala Harrisit si presidente.

“Ne po përballemi me një zgjedhje me pasojat më të mëdha për të ardhmen e shkencës dhe të Shteteve të Bashkuara”, paralajmëruan 82 fituesit e çmimit Nobel që nënshkruan letrën e hapur të publikuar nga ”New York Times”.

>

Nënshkruesit lavdërojnë Harrisin që kuptoi se si “rritja e jashtëzakonshme në standardet dhe jetëgjatësinë gjatë dy shekujve të fundit janë për shkak të përparimeve në shkencë dhe teknologji”, ndërsa Donald Trump, nëse zgjidhet, “do të rrezikonte çdo avancim të standardeve tona të jetesës, do të ngadalësonte përparimet në shkencë dhe teknologji dhe do të pengonte reagimin tonë ndaj ndryshimeve klimatike”.

Teksti i ideuar nga ekonomisti Joseph Stiglitz është nënshkruar, ndër të tjera, nga Gary Ruvkun, David Baker, John Hopfield dhe Daron Acemoglu, të gjithë fitues të çmimeve Nobel në Mjekësi, Kimi, Fizikë dhe Ekonomi respektivisht në javët e fundit.

Stiglitz, profesor në Columbia University dhe fitues i çmimit Nobel në 2001, shpjegoi se ai u shty për të ndërmarrë këtë iniciativë nga “shkurtimet e mëdha në buxhetet e shkencës” të propozuara gjatë presidencës Trump dhe nga qëndrimi i ish-presidentit, i cili, sipas mendimit të tij, është “antishkencë” dhe “antiuniversitare”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like