SHBA – Dy ushtarakëve të lartë rusë u ndalohet hyrja në vend

by admin

UASHINGTON, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Qeveria amerikane vendosi dje ndalime udhëtimi për dy oficerë ushtarakë rusë të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Ukrainën lindore.

“Qeveria amerikane akuzon Azatbek Omurbekov, për të cilin Uashingtoni thotë se njihet edhe si “Kasapi i Bucha-s” për vrasjet e civilëve të paarmatosur ukrainas nga Andriivka në Ukrainën lindore”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë.

“Omurbekov më vonë udhëhoqi njësinë e tij, Brigadën e 64-të të Veçantë të Pushkave të Motorizuara, në periferi të Kievit, Bucha, ku vranë, rrahën, copëtuan, dogjën dhe kryen ekzekutime të civilëve”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi Evropian tashmë ka vendosur sanksione ndaj Omurbekov për shkak të përgjegjësisë së tij të drejtpërdrejtë për vrasjet, përdhunimet dhe torturat në Bucha.

Qeveria e SHBA vendosi gjithashtu në listën e sanksioneve nëntetarin e Gardës Daniil Frolkin për shkak të vrasjeve në Andriivka.

“Raportet se Omurbekov dhe Frolkin ishin të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, siç janë dokumentuar nga OJQ-të dhe hetimet e pavarura, janë serioze dhe të besueshme,” tha Departamenti Amerikan i Shtetit.

Si rezultat i sanksioneve, Omurbekov, Frolkin dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë nuk mund të hyjnë më në SHBA.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, qeveria amerikane ka vendosur sanksione të shumta kundër Moskës, institucioneve ruse apo aleatëve të presidentit rus, Vladimir Putin. Këto përfshijnë njësinë ushtarake ruse të fajësuar për mizoritë në Bucha. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like