NJU JORK, 1 nëntor /ATSH/- SHBA-ja supozon që trupat e Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut të Rusisë të hyjnë në luftën kundër Ukrainës në ditët në vijim, tha dje sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken – ndërsa i bëri thirrje Kinës të përdorë ndikimin e saj për të frenuar Phenianin, sipas Reuters.
Deklarata e Blinken erdhi pasi Koreja e Veriut kreu testin e saj më të gjatë të raketës balistike ndërkontinentale dje në mëngjes – dhe pasi Koreja e Jugut paralajmëroi se Pheniani mund të merrte teknologji raketore nga Rusia në këmbim të ndihmës për luftën në Ukrainë.
Diplomati i lartë amerikan tha se kishte 10 000 trupa të Koresë së Veriut në Rusi, duke përfshirë deri në 8 000 në rajonin e Kursk, ku forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë kontrollin e territorit – pasi luftuan në zonën kufitare ruse, në gusht.
Në një konferencë për shtyp me sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe homologët koreano-jugor, Blinken tha se Rusia kishte trajnuar ushtarët e Koresë së Veriut në artileri, mjetet ajrore pa pilot, ose dronët, dhe operacionet bazë të këmbësorisë, për të qenë të gatshëm në operacionet e vijës së parë.
“Ne nuk i kemi parë ende këto trupa të dislokohen në luftime kundër forcave ukrainase, por ne do të presim që kjo të ndodhë në ditët në vijim”, tha ai.
“Gjatë takimit të tyre, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut diskutuan një sërë opsionesh për t’u përgjigjur”, tha Blinken, duke shtuar se përdorimi i ushtarëve të Koresë së Veriut nga Moska – në luftën e saj kundër Ukrainës ishte një “shenjë e qartë dobësie”. //a.i/