UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për më shumë ndihmë në Rripin e Gazës, për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në territor, më shumë se një vit pas luftës.
“Blinken diskutoi kushtet e rënda humanitare në Gazë, gjatë një telefonatë me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant”, sipas një deklarate të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.
“Sekretari rishikoi hapat që Izraeli ka ndërmarrë deri më sot, dhe kërkoi veprime të mëtejshme për të rritur dhe mbështetur ndjeshëm ndihmën humanitare – duke përfshirë ushqimet, ilaçet dhe furnizimet e tjera thelbësore – për civilët në të gjithë Gazën”, tha Miller.
Blinken theksoi gjithashtu rëndësinë e përfundimit të luftës në Rripin e Gazës dhe kthimin në shtëpi të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Izraeli, si dhe mundësimin e popullatës palestineze për të rindërtuar jetën e tyre.
Konflikti filloi pasi Hamasi dhe ekstremistët e tjerë nga Rripi i Gazës sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer deri në 250, më 7 tetor 2023.
“Izraeli më pas nisi një hakmarrje masive, për të cilën autoriteti i Gazës thotë se ka rezultuar në më shumë se 43 000 të vrarë dhe mbi 100 000 të plagosur”, sipas shifrave nga autoriteti shëndetësor i drejtuar nga Hamasi.//a.i/