Burim Shala, trajner i Fushë Kosovës komentoi ndeshjen, të cilën e humbi 1:0 ndaj Feronikelit ’74.
“Ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit, mirëpo mund të them se ishte ndeshja më e dobët e sezonit nga ne” – tha ai.
Tutje, ai tha se ende nuk ka përfunduar ëndrra e tyre për të mbetur në Superligë edhe për një sezon.
“Kemi qenë shumë poshtë në tabelë që nga fillimi i sezonit, mirëpo jemi rikthyer. Andaj, besoj që edhe një herë do të rikthehemi dhe nuk do të dorëzohemi për garën për mbijetesë” – përfundoi ai.
Fushë Kosova është në pozitën e nëntë në tabelë me 20 pikë, shtatë më pak se Feronikeli në pozitën e barazhit.