SEUL – Koreja e Jugut: Koreja e Veriut do të dërgojë 12 000 trupa në Rusi

by admin
Spread the love

SEUL, 18 tetor /ATSH-DPA/- Koreja e Jugut tha sot se Koreja e Veriut ka vendosur të dërgojë 12 000 trupa, përfshirë forcat speciale për të mbështetur forcat ruse që luftojnë në Ukrainë.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Jugut, “Yonhap” tha se dislokimi i tyre tashmë ka filluar, duke cituar informacione nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës.

Duke folur në një takim urgjent me zyrtarë të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol tha gjithashtu se supozohej se Koreja e Veriut kishte dërguar trupa në Rusi.

“Situata aktuale, në të cilën afrimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut ka çuar në dërgimin e pajisjeve ushtarake dhe dislokimin aktual të trupave, përbën një kërcënim serioz të sigurisë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar”, tha zyra presidenciale.

Qeveria ukrainase ka raportuar gjithashtu ushtarë të Koresë së Veriut në radhët e trupave pushtuese ruse.

>

Në një intervistë të fundit, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, tha gjithashtu se 11 000 trupa të Koresë së Veriut po trajnoheshin në Rusinë lindore për të luftuar kundër Ukrainës duke filluar nga 1 nëntori.

Instituti ushtarak amerikan për Studimin e Luftës raportoi gjithashtu se disa mijëra ushtarë të Koresë së Veriut kishin mbërritur në Rusi dhe po përgatiteshin për dislokimin e tyre në Ukrainë.

Pheniani po ofron mbështetje masive për Rusinë në formën e armëve dhe municioneve.

Sipas një raporti të inteligjencës së Koresë së Jugut, vendi i ka ofruar Moskës, kryesisht furnizime me predha artilerie dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Koreja e Veriut ka intensifikuar bashkëpunimin e saj ushtarak me Rusinë muajt e fundit.

Në qershor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit strategjik, e cila përfshin gjithashtu ndihmën e ndërsjellë në rast të një sulmi nga një vend tjetër. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like