Sean “Diddy” Combs akuzohet për abuzim seksual ndaj 120 personave, përfshirë 25 të mitur

by admin
Spread the love

LOS ANXHELOS, 2 tetor /ATSH/- Një avokat i shquar i Teksasit tha se janë 120 persona me një sërë pretendimesh për abuzim seksual kundër Sean “Diddy” Combs – për të cilat nevojitet një proces i rreptë verifikimi dhe vërtetimi, sipas “Rolling Stones”.

Avokati, Tony Buzbee, pretendon se 25 nga klientët e rinj ishin të mitur në kohën e abuzimit të tyre të dyshuar.

“Kur flasim për moshat e viktimave, çështja bëhet edhe më tronditëse”, tha Buzbee në një konferencë për shtyp.

“Viktima jonë më e re në momentin e ngjarjes ishte nëntë vjeç. Kemi një individ që ishte 14 vjeç, një tjetër që ishte 15 vjeç”, shtoi ai.

Buzbee tha se viktima më e re e supozuar u takua me Combs në zyrat e tij në Bad Boy në Manhattan për një audicion.

“I mituri nëntë vjeçar po përpiqej të arrinte një marrëveshje regjistrimi së bashku me “djemtë e tjerë” mes një procesi konkurrues”, tha avokati.

“Ky individ u abuzua seksualisht, nga Sean Combs dhe disa njerëz të tjerë, në studio”, tha Buzbee.

Duke folur nga kompania e tij ligjore në Hjuston, Buzbee tha se një klient tjetër ishte gjithashtu i mitur dhe shpresonte të hynte në biznesin muzikor kur u takua me Combs.

Manjati i muzikës dyshohet se i ka thënë djalit se do ta bënte një yll, por ai duhej ta vizitonte privatisht për këtë – larg prindërve të tij.

Avokati tha se klientja, i cila ishte 15 vjeçe, pretendon se ajo ishte dërguar në Nju Jork për të marrë pjesë në një festë. Buzbee tha se adoleshentja dyshohet se ishte droguar dhe përdhunuar nga Combs.

Combs ka mohuar në mënyrë të prerë dhe kategorikisht çdo pretendim se ai ka abuzuar seksualisht me këdo, përfshirë edhe të mitur.

“Çdo histori individuale është tronditëse. Aktet kanë ndodhur në hotele, shtëpi private, si dhe në festat famëkeqe të P-Diddy”, tha avokati.

“Shkeljet ndaj këtij grupi individësh janë befasuese dhe mund të përshkruhen vetëm si shthurje – të kryera nga njerëz të fuqishëm ndaj të miturve dhe të dobëtve”, shtoi ai.

Combs, 54 vjeç, u arrestua në Manhatan dy javë më parë, ndërsa prokurorët federalë zbuluan padinë e tij për akuzat për shantazh dhe trafikim seksual.

Në një aktakuzë prej 14 faqesh, prokurorët thanë se Combs drejtonte një sipërmarrje kriminale që përfshihej në akte të paligjshme dhune përfshirë dhunën seksuale, transport ndërshtetëror për qëllime prostitucioni, shpërndarje narkotike, zjarrvënie, ryshfet, rrëmbim dhe pengim të drejtësisë.

Prokurorët thanë se funksioni kryesor i sipërmarrjes së supozuar ishte joshja e viktimave në orbitën e Combs, shpesh nën pretendimin e një marrëdhënieje romantike – dhe më pas duke përdorur “forcë, kërcënime me forcë” për t’i detyruar viktimat të përfshiheshin në “performanca seksuale”.

Aktet seksuale shpesh përfshinin punonjës të seksit komercial dhe ndonjëherë zgjasnin disa ditë.

Combs dyshohet se u shpërndau drogë viktimave të tij të supozuara për t’i mbajtur ato “të bindura”, thanë prokurorët. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like