MOSKË, 18 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Ukrainën se nuk ishte e gatshme për të negociuar gjatë një konference për shtyp sot në Moskë.
Putin tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bën vazhdimisht kërkesa, por nuk ofron propozime – madje kishte nënshkruar një dekret që ndalonte negociatat me Rusinë.
“Rusia ishte e gatshme të zhvillonte bisedime paqeje”, tha Putin.
Në përgjigje të një pyetjeje, presidenti rus tha se ishte i hapur që Arabia Saudite të priste negociata të tilla, por theksoi se përmbajtja ishte e rëndësishme.
Ai tha se Rusia ishte gati për bisedime të reja në bazë të marrëveshjeve të arritura tashmë me përfaqësuesit ukrainas në Stamboll – pas fillimit të luftës.
Këto marrëveshje parashikojnë, ndër të tjera, se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga kërkesa e saj për anëtarësim në NATO.
Putin gjithashtu kritikoi NATO-n për luftimin e Rusisë “nëpërmjet Ukrainës”.
“Fitorja do të jetë e jona”, shtoi presidenti rus, por shmangu dhënien e një afati kohor për luftën kur u pyet, duke thënë se kjo ishte një pyetje për NATO-n.
Putini tha në mënyrë të përsëritur se lufta do të vazhdonte për aq kohë sa anëtarët e NATO-s do të furnizonin Ukrainën me armë, pavarësisht se e kishte urdhëruar vetë pushtimin në shkallë të gjerë.
Lufta është në rendin e ditës për takimin e ardhshëm të bllokut ekonomik BRICS në qytetin rus të Kazanit, i cili do të zhvillohet nga e marta deri të enjten. / /a.i/