MOSKË, 24 janar /ATSH-DPA/ – Rusia kërkon një rifillim të shpejtë të bisedimeve për çarmatimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sigurisht që ne jemi të interesuar që ky proces negociues të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për agjencinë ruse të lajmeve “Interfax”.
Ai shprehu shqetësimin se shumë traktate për kontrollin e armëve janë ndërprerë vitet e fundit dhe se SHBA-ja duhet të fajësohet në secilin rast.
“Çarmatimi bërthamor është në interes të të gjithë botës dhe të gjithë popujve”, tha Peskov, duke shtuar se tani është në dorën e SHBA-së.
Ai tha se çdo negociatë duhet të merrte gjithashtu parasysh arsenalet bërthamore të Francës dhe Britanisë së Madhe. Megjithatë, ai nuk tha asgjë për pjesëmarrjen e Kinës, një fuqi bërthamore dhe mike e Rusisë, në bisedimet e ardhshme për çarmatimin.
Vitet e fundit, ka pasur ndryshime dhe tërheqje nga disa traktate të çarmatimit. Në vitin 2019, SHBA-ja gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump, u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili ndalonte raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme me bazë tokësore.
Uashingtoni e justifikoi masën duke thënë se Rusia kishte zhvilluar një sistem të ri raketash me rreze të mesme veprimi me bazë tokësore dhe po pajiste forcat e saj të armatosura me të.
Në vitin 2020, SHBA-ja nën drejtimin e Trump, njoftoi tërheqjen e saj nga Traktati i Qiejve të Hapur për fluturimet ndërkombëtare të vëzhgimit ushtarak. Rusia më pas njoftoi gjithashtu tërheqjen e saj si përgjigje.
Në vitin 2022, Putini zbatoi tërheqjen e Rusisë nga traktati i çarmatimit të forcave konvencionale në Evropë (Traktati CFE) dhe pezulloi traktatin e fundit të madh të çarmatimit bërthamor, “New Start”, me SHBA-në.
Kremlini e bëri të qartë sërish se ishte gjithashtu i interesuar për negociata me Trump – i cili filloi mandatin e tij të dytë më 20 janar – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. //a.i/