RUSI – Kremlini: Putini është i hapur për dialog me Scholz

by admin
Spread the love

MOSKE, 13 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për një dialog me kancelarin gjerman Olaf Scholz, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.

“Ne kemi deklaruar vazhdimisht se mbetemi të hapur për kontakte”, tha Peskov, ndërsa vuri në dukje se deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim nga pala gjermane për një bisedë telefonike.

Peskov po i përgjigjej një deklarate të ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila tha të premten se Putini nuk ishte më i gatshëm të fliste me kancelarin në telefon.

Scholz kohët e fundit theksoi se mundësitë për paqe duhet të hulumtohen ndërsa ka pasur raporte për një telefonatë të planifikuar midis kancelarit gjerman dhe Putinit.

Në fillim të tetorit, Peskov tha në reagim se Putini ishte i hapur për dialog edhe pse, sipas tij, marrëdhëniet midis Moskës dhe Berlinit ishin efektivisht në fije të perit – jo për shkak të Rusisë.

“Në paraqitje të jashtme, nuk ka çështje të përbashkëta”, tha ai.

Scholz foli për herë të fundit me Putinin në telefon në dhjetor të vitit 2022, kur ai bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina.

Në qershor, Scholz tha se nuk mund të përjashtonte mundesinë e një bisede me Putinin në të ardhmen, ndërsa shtoi se do të kishte kuptim vetëm nëse kishte diçka specifike për të diskutuar. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like