“Ringjallja” me Espanjol, Kumbulla anashkalon të ardhmen: Mendoj për Kombëtaren

by admin
Spread the love

Marash Kumbulla është ringjallur sportivisht te Espanjol. I huazuar këtë verë nga Roma, mbrojtësi i Kombëtares, është familjarizuar menjëherë duke qenë titullar fiks në formacion.

Për Kumbullën nuk mund të mungonte interesi i mediave italiane, pasi Roma gëzon kartonin e tij. Kështu mbrojtësi dha një intervistë të publikuar sot për “Corriero dello Sport”, teksa përmend dhe Kombëtaren e Shqipërisë.

“Jemi vetëm në fillim të sezonit. Unë patjetër ndihem mirë dhe po luaj mirë. Po gjej qëndrueshmëri, e cila është gjëja më e rëndësishme për një futbollist. Shpresoj të vazhdoj kështu”, e nis Kumbulla intervistën.

Huazimi te Sasuolo? “Mendoj se ka një shpjegim të thjesht. Jam një lojtar që duhet të jem mirë fizikisht. Shumë prej kolegëve të mi iu deshën disa muaj për t’u rikthyer në nivele të larta kur ata këputën ligamentin.

Fatkeqësisht në gjashtë muajt me Sasuolon, po lija pas dëmtimin dhe nuk isha në gjendje të shprehesha sa më mirë në fushë. Isha i zhgënjyer me veten.

Më kërkuan, si trajneri ashtu edhe drejtuesit dhe më bënë të ndihem i rëndësishëm. Askush nuk mund t’ju garantojë një pozicion të përhershëm, por ndjeva se klubi kishte besim tek unë. Dhe ishte e vërtetë. Më ndihmoi edhe fakti që arrita në gjendje të mirë fizike, sepse kisha bërë një fazë përgatitore të mirë me Romën në verë”.

>

Jeta në Barcelonë? “E bukur. U ambientova menjëherë. Unë jetoj në një apartament në qendër, bëj pazar, fansat janë të pasionuar, por nuk ndërhyjnë në jetën private. Qyteti, i cili është i bukur, i përshtatet shumë karakterit tim. Nuk më pëlqen të shfaqem shumë publikisht. Në Romë është pothuajse e pamundur të mos biesh në sy. Nuk po them që është një gjë e keqe, por një futbollist e vlerëson qetësinë private”.

E ardhmja? “Fakti është se nuk e mendoj. Unë jam këtu dhe dua të kontribuoj për të ndihmuar Espanjol të mbijetojë në La Liga. Unë kam edhe Kombëtaren shqiptare për të menduar. Në fund të sezonit do të shohim se çfarë është më e mira për të bërë”.

Kritikat e tifozëve të Romës? “Ndoshta thjesht nuk më mbajnë mend si futbollist. Është pak e bezdisshme të pranosh kritika të ashpra. Siç e thashë edhe më parë, në Itali për një vit e gjysmë nuk e shpreha mirë potencialin tim. Por kam mjaftueshëm vetëbesim për të ecur përpara. Nëse ngecni në një gabim, nuk mund ta bëni këtë punë. E dija që herët a vonë do të kthehesha”.

Momentet më të mira dhe më të këqija te Roma? “Më i miri ishte goli ndaj Real Sociedad në Ligën e Europës. Më e keqi ishte kartoni i kuq kundër Sasuolos. Ajo goditje ndaj Berardit ishte një gjest instinktiv për të cilin u pendova menjëherë. Fatkeqësisht ishte tepër vonë për t’u kthyer dhe ai episod na kushtoi ndeshjen”, u shpreh Kumbulla.

PANORAMASPORT.AL

 

You may also like