RIAD – Zelensky viziton Arabinë Saudite përpara bisedimeve të paqes në Zvicër

by admin

RIAD, 12 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Arabinë Saudite, disa ditë përpara Samitit të planifikuar të Paqes për Ukrainën në Zvicër.

“Zelensky mbërriti në qytetin port saudit, Jeddah dhe u takua me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të monarkisë”, sipas agjencisë shtetërore saudite të lajmeve SPA.

“Ata diskutuan lidhjet midis dy vendeve dhe zhvillimet e luftës Ukrainë-Rusi”, shtoi agjencia.

Gjatë takimit Mohammed theksoi mbështetjen e Mbretërisë për të gjitha përpjekjet për të zgjidhur krizën dhe për të zbutur efektet e saj humanitare.

“Arabia Saudite nuk dëshiron të marrë pjesë në konferencën e 15-16 qershorit pasi Rusia nuk do të marrë pjesë”, thanë burimet në Riad në fillim të këtij muaji në kushte anonimiteti.

Që atëherë nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Riadi.

Zvicra ka ftuar rreth 160 vende në ngjarjen e ardhshme për të diskutuar mënyrat e mundshme për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.

Rusia, e cila pushtoi Ukrainën më shumë se dy vjet më parë, nuk ka marrë një ftesë. Kremlini i ka hedhur poshtë bisedimet duke i quajtur si të pakuptimta.

Arabia Saudite është përpjekur të mbajë një qëndrim neutral në luftën në Ukrainë.

Mbretëria e pasur me naftë, një aleate tradicionale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu mban lidhje të mira me Moskën dhe ka ofruar vazhdimisht të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Gushtin e kaluar, Arabia Saudite priti bisedimet ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën.

Në maj të vitit të kaluar, Zelensky mori pjesë në një samit vjetor të Ligës Arabe të organizuar gjithashtu në Arabinë Saudite. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like