Efekti i Superkupës nuk ekziston më. Jo në Roterdam, por që nga ndeshja e parë e kampionatit kundër Kaljarit kur Milani kthehej nga Riadi. Këtë sezon, ekipit kuqezi i ka munguar gjithmonë vazhdimësia dhe qasja e duhur, të cilat janë aspekte themelore nëse dëshiron të luftosh për majat e futbollit jo vetëm në Itali, por edhe në Europë.
Humbja ndaj Fejnordit i ka shtuar nivelin e acarimit në një ambient që prej kohësh është nervoz, raporton “Il Corriere dello Sport” që gjithashtu nënvijëzon se i pari që do të paguajë pasoja do të jetë Serxho Konseisaso.
Tensioni i portugezit ishte i prekshëm edhe pas ndeshjes së Champions—it kur ai u largua nga konferenca për shtyp pas vetëm 30 sekondash, i mërzitur nga fakti që kishte pritur 15 minuta për të përfunduar fjalën e kundërshtarëve. Më shumë benzinë zjarrit pastaj, me portugezin, që i ngjan pak bashkatdhetarit Fonseka dhe me sa duket ka filluar të ndihet pak i vetëm.
MESATARJA S’MJAFTON – Në korridoret e “Milanello”-s, vijon gazeta, ende nuk është folur për largim nga puna, por mosbesimi është një ndjenjë që zien e përparon në heshtje, simptomë e një ambienti jo paqësor. Krahasuar me Fonsekën, megjithatë, diçka është përmirësuar, siç është mesatarja e pikëve në kampionat, e cila shkoi nga 1.58 në 1.83.
Kjo mund të mos mjaftojë, megjithatë, pasi kuqezinjtë vazhdojnë të ndjekin vendin e katërt kundër Milanit, që do të nënkuptonte kualifikimin për në Champions në sezonin e ardhshëm, një turne nga i cili rrezikojnë të largohen të martën nëse Fejnordi nuk kapërcehet. Dhe është pikërisht Champions-i ajo që do të përcaktojë nëse Konseisao do të mbetet apo jo në stolin e kuqezinjve. Nëse objektivi arrihet, klubi mund të vendosë të aktivizojë klauzolën në kontratën e portugezit. Ndryshe, megjithatë, vetëkuptohet se fati i ish-teknikut të Portos do të ishte i vulosur.
ALTERNATIVA – Mbase është ende herët të flitet për zëvendësues pasi në Konseisao rrezikon shkarkimin vetëm në rast të një katastrofe me rezultatet. Sidoqoftë, në klubin kuqezi duken të lodhur me trajnerë ndërkombëtarë dhe këtë herë mund t’i besohet një italiani.
Emri më i mundshëm do të ishte ai i Alegrit, por nuk është për t’u përjashtuar as Mauricio Sarri që gjithmonë e ka theksuar admirimin për Milanin, por me kusht që të nisë punën që në verë e jo në sezon e sipër siç iu propozua përpara se të merrej vendimi i shkarkimit të Fonsekës.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL