REPUBLIKA ÇEKE – Opozita populiste e djathtë ANO fiton zgjedhjet rajonale

by admin
Spread the love

PRAGË, 22 shtator /ATSH-DPA/- Partia opozitare populiste e krahut të djathtë të Republikës Çeke ANO, e udhëhequr nga ish-kryeministri Andrej Babis, ka arritur një fitore në zgjedhjet rajonale të mbajtura menjëherë pas përmbytjeve të rënda që goditën vendin.

“ANO fitoi 10 nga 13 rajone”, raportoi autoriteti statistikor i CSU.

Në nivel të BE-së, ANO është pjesë e grupit “Patriots for Europe”, i cili përfshin Fidesz të Hungarisë, Rally Kombëtare të Francës dhe Partinë e Lirisë së Austrisë.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e mbajtura të premten dhe të shtunën arriti në 32,9%.

Vendi u godit nga përmbytjet në të cilat humbën jetën katër persona dhe u shkaktuan dëme të rënda. Qeveria vendosi kundër shtyrjes se zgjedhjeve për arsye ligjore.

Partitë e koalicionit liberal-konservator në pushtet nën drejtimin e kryeministrit, Petr Fiala siguruan fitore vetëm në Boheminë e Jugut, Moravinë e Jugut dhe në Liberec.

“Rezultati nuk ishte një fitore, dhe gjithashtu as një humbje shkatërruese”, tha Fiala.

ANO rriti numrin e vendeve që mban në 13 parlamentet rajonale nga 178 në 292, por pritet të mungojnë partnerët e koalicionit.

Rajonet menaxhojnë shkollat, spitalet dhe shtëpitë e kujdesit dhe shpërndajnë subvencione të BE-së. Praga ruan një status të veçantë dhe nuk u përfshi në votim.

Zgjedhjet gjithashtu u mbajtën për 27 nga 81 vendet në senat. Këto zgjedhje, në të cilat zgjidhen një e treta e senatorëve, zhvillohen çdo dy vjet.

Pesë kandidatë siguruan shumicën absolute në raundin e parë. Mandatet e mbetura do të vendosen në balotazhin e zgjedhjeve brenda një jave. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like