RAMALLAH, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një këshilltar i presidentit palestinez Mahmud Abbas ka kritikuar planet izraelite për kontrolle afatgjata në kufirin midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
”Propozimi i presidentit izraelit Benjamin Netanyahu për të rimarrë kontrollin nga Izraeli të korridorit të Filadelfias dhe anës palestineze të kalimit Rafah, si dhe krijimi i zonave tampon dhe aranzhimeve të reja të sigurisë janë dëshmi e qartë e vendimit për të rivendosur një pushtim të plotë”, deklaroi Hussein al-Sheikh, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në një postim në X.
”Kjo rrezikon marrëveshjet me Egjiptin dhe i jep fund të gjitha pakteve me PLO”, shtoi ai.
Ai komentoi deklaratat e Netanyahut, të bëra mbrëmjen e së shtunës, sipas të cilave pas luftës në Gaza, Izraeli duhet të kontrollojë edhe korridorin e Filadelfias përgjatë kufirit ndërmjet Rripit të Gazës dhe Egjiptit, afërsisht 14 kilometra i gjatë.
”Kjo është mënyra e vetme për të siguruar çmilitarizimin e Rripit të Gazës”, kishte deklaruar disa orë më parë Netanyahu.
Al-Sheikh shkroi për nevojën për “një vendim të unifikuar palestinez dhe arab për të adresuar pasojat e kësaj lufte agresive dhe përpjekjet e Netanyahut për të diktuar realitetet e reja që rezultojnë nga kjo luftë”.
Diskutimi vazhdon ndërsa lufta është ndezur për të ardhmen e Gazës. /os/