Pushteti të mos e paralizojë punën e Kuvendit – Shqip

by admin
Spread the love

Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur konferencë për medie lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, raporton Shqip. Violeta Haxholli, nga KDI tha se fillimi i sesionit vjeshtor, i fundit për këtë legjislaturë përveç se është duke e vazhduar praktikën e zvarritjes së pikave të rendit të ditës në mungesë të kuorumit, është duke u sfiduar edhe nga veprime që po e minojnë funksionimin e jetës parlamentare.

Sipas saj, kur kanë mbetur rreth 2 muaj deri në përmbylljen e punës së kësaj legjislature, Kuvendi ka në agjendë plot 23 pika, që po barten nga seanca në seancë – disa prej tyre edhe që nga viti i kaluar.

“Përpos këtyre pikave, në këtë periudhë do të duhej të shqyrtoheshin edhe rreth 50 projektligje e vendime me interes jetik, që janë pjesë e agjendës legjislative. Megjithatë, kjo agjendë e ngjeshur nuk po reflektohet në planifikimet e Kuvendit për mbajtje të seancave dhe shqyrtim përmbajtjes legjislative, meqë që nga fillimi i sesionit vjeshtor në javën e dytë të shtatorit, të tri seancat e thirrura janë mbyllur menjëherë në mungesë kuorumi – pa arritur që të miratohet ndonjë projektligj”.

Sipas saj, në javën e fundit, posaçërisht sfidues për punën e Kuvendit ka qenë bojkotimi i seancave plenare nga shumica parlamentare, në rastet kur opozita ka propozuar diskutime ose ka thirrur seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme.

“Është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit. I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues”.

>

Ajo ka shtuar se Kuvendi duhet të jetë hapësira kryesore për të zhvilluar debat të hapur dhe konstruktiv për çështje janë në interes të publikut; dhe jo të konsiderohet vetëm si makineri votimi, duke shtuar se debatet i formësojnë opinionet publike, i japin drejtim politikave, si dhe prodhojnë alternativa për vendimet që merren në Kuvend, raporton EO.

“Në periudhën e mbetur, Kuvendin e pret vendimmarrja për marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, dhe një sërë projektligjesh që kanë ndikim në proceset ekonomike dhe integruese të Kosovës. Vazhdimi i praktikave sabotuese të jetës parlamentare nga pozita dhe shfrytëzimi i Kuvendit si platformë për qëllime elektorale, e rrezikon këtë vendimmarrje dhe i kontribuon polarizimit, që reflekton negativisht edhe tek qytetarët, sidomos tani në prag të zgjedhjeve”.

Haxholli pohoi se për një proces parlamentar të qëndrueshëm dhe produktiv, opozitës duhet ti garantohet hapësira e nevojshme për debat.

“Në anën tjetër, për miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, partia në pushtet duhet t’i sigurojë numrat e nevojshëm dhe për këtë duhet të ju prijë përpjekjeve për konsensus me partitë opozitare”.

You may also like