“Prioritet mbetet investimi te burimet njerëzore përmes akademisë”

by admin

Flet administratorja e kompanisë “SOFT & SOLUTION”, Arjola Koromani

 

Krahas rritjes së pagave për frenimin e emigracionit, për shtimin e numrit të inxhinierëve të kualifikuar në sektorin e Teknologjisë së Informacionit, kompanitë më të mëdha të sektorit po investojnë edhe në ngritjen e akademive për përgatitjen profesionale të burimeve njerëzore, veçanërisht të rinjve.

Një prej tyre është edhe “Soft Academy”, e themeluar nga kompania “SOFT & SOLUTION”.

Sipas administratores znj. Arjola Koromani, kjo akademi ka në fokus zhvillimin e talenteve të reja dhe përgatitjen e burimeve njerëzore, nëpërmjet programeve të brendshme, me qëllim ruajtjen e standardeve në ofrimin e shërbimeve teknologjike.

 

Prej sa vitesh është e pranishme në tregun vendas kompania “SOFT & SOLUTION”? Cilat janë shërbimet që ofron dhe tregjet ku operon?

Kompania jonë operon që prej vitit 2011, pra prej 13 vitesh në tregun vendas dhe ndërkombëtar. Ne ofrojmë shërbime në zhvillimin e programeve softuerike, aplikacioneve, ndërtimin dhe implementimin e website-ve për klientët tanë dhe zgjidhjeve IT.

Gjithashtu, ofrojmë trajnime nëpërmjet “Soft Academy” për kualifikime në teknologji për punonjësit tanë, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e kompanisë dhe të thellohen më tej në fushën e larmishme të teknologjisë.

Prej më shumë se një dekade, ne operojmë, si në tregun shqiptar, ashtu edhe atë ndërkombëtar, me klientët tanë nga fusha të ndryshme në Francë, Turqi, Slloveni etj.

 

Si paraqitet për 2024 volumi i kontratave krahasuar me vjet, a ka një rritje të tyre?

Tashme si në prag të mbylljes së aktivitetit për vitin 2024, mund të themi me bindje të plotë që krahasuar me vitin e kaluar, kemi parë një rritje të ndjeshme të volumit të kontratave.

Kjo për shkak të zgjerimit të kërkesës për shërbime teknologjike dhe padyshim angazhimit tonë për të ofruar zgjidhje të reja dhe të personalizuara për klientët.

Për ne është shumë e rëndësishme kualiteti dhe ruajtja e standardit të shërbimit, e cila përkthehet në besim ndaj klientëve tanë dhe patjetër, në rritjen e volumit të kontratave.

 

Si shfaqet kërkesa e bizneseve për investime në teknologji, ka rritje apo rënie të saj? Cilat janë shërbimet risi që sjell kompania?

Kërkesa për investime në teknologji ka pasur rritje të qëndrueshme, sidomos në zgjidhje për automatizim dhe optimizim procesesh.

Kompania jonë ka sjellë disa shërbime risi në treg, duke përfshirë zgjidhje të avancuara në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, shërbime për sigurinë kibernetike, dhe sisteme për analizë të të dhënave që i ndihmojnë bizneset të marrin vendime më të informuara.

Industria në të cilën ne operojmë është vazhdimisht e ndryshueshme me prurje të reja dhe për këtë, ne kemi gjithashtu në fokus fushën e kërkimit dhe research-it, e cila lidhet shumë ngushtë me të gjithë pikat që përmenda më lart.

 

Nisur nga analizat tuaja, çfarë po ndodh në tërësi me tregun e punës, qoftë me burimet njerëzore, por edhe me ofertën për punësime? Si është kërkesa e të rinjve për të punuar në IT, krahasuar me ofertën? A po hasni vështirësi në rekrutimet?

>

Tregu i punës në fushën e teknologjisë në Shqipëri është në zgjerim dhe ne e kemi parë në rastet konkrete të kompanisë sonë. Kërkesa për të rinj në IT dhe fushat e programimit është e lartë, por edhe ofertat për pozicione janë rritur gjithashtu.

Sikurse përmenda dhe pak më përpara, për ne ruajtja e standardeve është shumë e rëndësishme për “Produktin Final” prandaj, shpeshherë hasim edhe sfida në rekrutim, pasi kërkohet që punonjësit të kenë padyshim specializim dhe aftësi të avancuara në përputhje me pozicionet për të cilat ato aplikojnë.

Për ne është shumë i rëndësishëm investimi te të rinjtë gjithashtu, ndaj edhe kemi në fokus zhvillimin e talenteve përmes Soft Academy dhe programeve të brendshme për të siguruar burime njerëzore të përgatitura.

 

Si po ia arrini që, me këtë lëvizje të lartë të kapitalit njerëzor në emigracion të IT-së, të siguroni cilësi shërbimi dhe të përmbushni volum kontratash?

Për të ruajtur cilësinë e shërbimeve dhe për të përmbushur angazhimet ndaj klientëve, ne investojmë në zhvillimin e stafit tonë, përmes programeve të trajnimit, kualifikimeve, certifikimeve ndërkombëtare dhe pagave konkurruese.

Gjithashtu, kultivojmë një kulturë pune motivuese dhe ofrojmë mundësi rritjeje brenda kompanisë për të reduktuar migrimin dhe për të mbajtur profesionistët më të mirë në vend, gjë e cila është pritur me shume feedback pozitiv te punonjësit tanë vit pas viti.

 

A ka potenciale të mëtejshme zhvillimi, sipas jush, tregu i Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri, për të zënë një peshë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik? Cilët janë faktorët që i japin avantazh zhvillimit të tij, dhe cilët janë ata që e pengojnë?

Tregu i Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri ka një potencial të madh zhvillimi ashtu si edhe në vendet e tjera ndërkombëtar, duke kontribuar gjithnjë e më shumë në ekonominë e vendit.

Avantazhet kryesore janë rinia e edukuar teknologjikisht dhe kostot konkurruese për investimet. Faktorët që pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie do të lidheshin pak me pjesën e emigracionit të të rinjve të specializuar.

 

Cilat janë efektet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, a ka ndihmuar në automatizimin e proceseve të ndryshme dhe në zhvillimin e teknologjive të reja, apo ka krijuar sfida për tregun e punës dhe për burimet njerëzore?

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale ka sjellë përparime të rëndësishme në automatizimin e proceseve, duke lehtësuar shumë prej operacioneve dhe duke përmirësuar efikasitetin në shërbimet tona.

Megjithatë, ai ka sjellë edhe sfida për tregun e punës, pasi kërkon kualifikime të reja dhe zhvillim të vazhdueshëm të aftësive të stafit.

Për këtë fakt, ne e kemi vlerësuar me përpikëri dhe i kemi dhënë një vëmendje të veçantë investimit në trajnime për të mbajtur stafin të përgatitur për këtë transformim.

Një ndër politikat tona kryesore të kompanisë është të punojmë ngushtë për të përmirësuar mbarëvajtjen e gjithsecilit në raport me punën.

Për këtë arsye, edhe stafi ynë është përgjigjur në të njëjtën pikë dhe dëshirë për të qenë pjesë e këtyre certifikimeve dhe trajnimeve për hapat e mëtejshëm.

 

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like